Kalo te lënda

Xhelili fshehu veprimtarinë e SHIK-ut në gjykatë

Fatmir Xhelili mbajti fshehtë veprimtarinë e SHIK-ut. Ai përfundoi dëshminë e tij në rastin Bllaca II. Xhelili u pyet rreth veprimtarisë, anëtarëve dhe financimit të SHIK-ut. Xhelili nuk zbuloi asgjë më shumë se sa ish-shefi i tij, Kadri Veseli.

Nuk tha asgjë më shumë sesa ish-shefi i tij. Njëri nga ish-drejtorët e SHIK-ut, Fatmir Xhelili nuk ka bërë publike detaje në lidhje me këtë organizatë në të cilën shërbeu nëntë vjet. Ai nuk tregoi asgjë më shumë sesa që para disa muajsh i kishte treguar Kadri Veseli. Gjatë dëshmisë në procesin gjyqësor Bllaca II, Xhelili tregoi për detajet që tregoi edhe ish-shefi i SHIK-ut, por nuk dha emra të anëtarëve të këtij shërbimi.

 

Xhelili e shfrytëzoi të drejtën për mbajtjen e sekreteve ushtarake dhe zyrtare. Por këtë ia mundësoi edhe gjykata që i dha të drejtë Xhelilit që të vendosë vetë se cilat informata t’i zbulojë, e cilat jo. Ndonëse ky vendim që u mor të hënën u kundërshtua nga prokurorja Ema Rizotto. Gjykata hodhi poshtë kundërshtimin e prokurores dhe vendosi që të jetë në vullnetin e Xhelilit, të përgjigjet apo jo në pyetjet e parashtruara. Prokurorja u interesua rreth rolit të tij në shërbimin informativ të Kosovës, si drejtor i Drejtorisë për hulumtimin e krimit të organizuar.

 

Ai tha se drejtoria që e ka udhëhequr ka pasur për detyrë që të mbledhë informata për krimin e organizuar siç është trafikimi me qenie njerëzore, me drogë, me emigrantë, korrupsionin etj. “Në SHIK vendosëm që ta krijojmë një drejtori të tillë me qëllim që t’i pengojmë këto dukuri që nuk kanë qenë të pranishme para luftës”.

 

Xhelili po ashtu sqaroi se SHIK-u nuk ka pasur kompetencat e forcës, të zhvillojë hetime apo edhe të denoncojë rastet e tilla në prokurori. “Ne kemi grumbulluar informata për dukuritë që i përmenda për policinë, gjyqësinë dhe prokurorinë”, deklaroi Xhelili. Prokurorja u interesua për emrat e njerëzve me të cilët kishte punuar Xhelili, por ky i fundit nuk përmendi asnjë emër të stafit të tij, me arsyetimin se nuk e ka një autorizim të tillë. “Përveç emrave që i ka bërë publik ish-shefi im nuk kam autorizim që të përmende emra të tjerë. Ata janë njerëz që tash kanë familje dhe mund të jenë të rrezikuar prej grupeve të organizuara kriminale”.

 

Xhelili po ashtu sqaroi se numri i anëtarëve të SHIK-ut në fillim ka qenë rreth tridhjetë për t’u rritur ky numër më pas deri rreth 90. Xhelili tha se i njeh të gjithë personalisht. Ai nuk ka sqaruar as procedurën se si janë rekrutuar anëtarët e SHIK-ut përveç kushteve që duhet pasur një anëtar i këtij organizmi.

 

Sipas tij, një anëtar i SHIK-ut duhet të jetë i arsimuar, i moralshëm, të ketë kaluar të pastër dhe që nuk ka rënë ndesh me ligjin. “Këto i kemi bërë me qëllim që informatat e anëtarëve të SHIK-ut të jenë reale dhe të besueshme”. Por prokurorja italiane u interesua për mënyrën e rekrutimit të Xhelilit. Ai sqaroi se ishte vetë shefi i SHIK-ut që e kishte ftuar që të jetë pjesë e këtij organizmi. Xhelili tha se pas diskutimeve rreth nevojës që edhe Kosova ta ketë një shërbim inteligjent, sikurse shtetet e tjera, ka pranuar ofertën.

 

Xhelili tha se pjesëtarët e SHIK-ut në komunikime zyrtare kanë përdorur shifra të kombinuara me numra dhe shkronja dhe ato i kanë ditur vetëm dy-tre njerëz të shërbimit. Ndërkaq, në komunikimet formale, Xhelili tha se janë përdorur zakonisht nofkat e luftës.

 

Xhelili sqaroi po ashtu se ata nuk kanë pasur asnjëherë kartela dhe se janë paguar rregullisht. “Ka qenë një përgjegjës për financa dhe ka ekzistuar lista e pagave”.

 

Prokurorja u interesua edhe për financimin e SHIK-ut, e që Xhelili tha se për këtë shërbim ka pasur donacione pa treguar nga kush. “Është financuar nga fondet legale. Edhe sot, institucionet e Kosovës marrin donacione”, sqaroi Xhelili. Ai tha se ka qenë në dijeni se në SHIK ka pas persona që më herët kanë qenë në sektorin e Zbulim Kundër Zbulimit, më vonë G2 të UÇK-së.

 

Patriotizëm në gjykatë

 

Në fillim të seancës të së mërkurës, prokurorja e edhe avokatët kanë diskutuar lidhur me vendimin e gjykatës që Xhelili të përgjigjet ose jo në pyetjet që dëshiron. Prokurorja tha se ky vendim për moszbulimin e sekretit ushtarak nuk ka bazë, sepse në Kosovë e vetmja ushtri ka qenë KFOR-i. Kjo ka shkaktuar zemërim te palët mbrojtëse duke ia rikujtuar prokurores se në Kosovë ka ekzistuar një ushtri e quajtur UÇK, shkruan express.

 

Ramiz Krasniqi i ka rikujtuar prokurores t’i lexojë memuaret e ish-komandantit të NATO-s, Wesli Clark, ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albirght dhe gazetarit Tim Judah. Më patriotja në këtë diskutim u shfaq avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e cila kërkoi nga prokuroja dhe gjykata që mos t’ua përbuzin krenarinë kombëtare. “UÇK-në e konsiderojmë ushtri tonën”, deklaroi Gashi-Bytyqi.

 

Këtë situatë e qartësoi gjykatësi Torre Tomasen, i cili ua rikujtoi palëve se seanca ka të bëjë me vrasje, e jo me politikë dhe histori. Edhe dëshmitari Fatmir Xhelili tha se është i interesuar që të gjitha vrasjet të ndriçohen pasi që krejt çka kanë ndodhur pas luftës, i janë veshur shërbimit ku kishte punuar. Seanca vazhdon të enjten me dëshmitarët e radhës./standardi.info

Lini një koment