Rrezikohet koalicioni LDK-AAK në Kamenicë
Veprimi i njëanshëm i kryetarit të Kamenicës Shaip Surdulli për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Ilir Kastrati, rrezikon të çojë drejt shkëputjes së koalicionit mes LDK-së dhe AAK-së në këtë komunë.
Kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli ka shkarkuar sot nga pozita e drejtorit të Urbanizmit, Ilir Kastratin që vjen nga AAK.
“Ky vendim është marrë si pasojë e mosbashkëpunimit me Kryetarin e Komunës në kryerjen e detyrave si dhe mos komunikimin dhe mos bashkëpunim me drejtorët e drejtorive tjera komunale”, thuhet në njoftimin e komunës së Kamenicës.
Ky vendim i Surdullit e ka irrituar keq partnerin e koalicionit, degën e AAK-së në Kamenicë, pa të cilën Surdulli nuk do të mund të fitonte garën për kryetar në zgjedhjet lokale të vitit 2009.
Kryetari i AAK-së në Kamenicë, Lulzim Leci, njëherësh nënkryetar i komunës, ka thënë sot për KosovaTimes.net se nuk ka pasur asnjë marrëveshje politike mes partnerëve të koalicionit që drejtori i caktuar të shkarkohet.
“Me marrëveshje ne mund ta ndërrojmë një drejtor, po nuk ka marrëveshje për shkarkim. Kryetari na ka konsultuar për rastin e drejtorit Kastrati por ne i kemi thënë se ai nuk mund të shkarkohet. Megjithëkëtë sot dëgjuam që kryetari e ka marrë këtë vendim vet”, ka thënë Leci.
Ai tha se ende nuk e ka parë vendimin e marrë nga Surdulli, ndërsa shtoi se posa ta shohë vendimin do ta mbledh partinë e tij për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm.
“Pas këtyre analizave dhe diskutimeve në parti që do t’i kemi, do ta takojë kryetarin për të diskutuar dhe për të parë çfarë të bëjmë”, tha Leci.
Ndërsa, drejtori i shkarkuar, Ilir Kastrati ka rrëfyer ekskluzivisht për KosovaTimes.net arsyet që sipas tij e kanë shtyrë kryetarin Surdulli ta shkarkojë.
“Vendimi i kryetarit për shkarkimin tim është hakmarrje personale për shkak të mos nënshtrimit tim ndaj tij”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij, shkarkimi ka ardhur si pasojë e mos dhënies së pëlqimit të Drejtorisë që ai udhëheqë për ndërtimin e një objekti për biznes dhe administratë të Këshillit të Bashkësisë Islame në parkun e vetëm të qytetit.
“Bëhet fjalë për një ndërtesë me podrum, përdhes dhe dy kate. Ne si drejtori dhe profesionistë të kësaj fushe, duke u thirr dhe respektuar planin detal urbanistik kemi thënë se në atë vend nuk mund të ndërtohet një objekt i tillë. Në atë pjesë ku është kërkuar ndërtimi i këtij objekti, sipas planit detal urbanistik është paraparë ndërtimi i rrugës me dy korsi por jo diçka tjetër”, ka treguar Kastrarti.
Sipas tij, ndaj kësaj ideje për ndërtimin e atij objekti në park kanë reaguar edhe qytetarët por së fundi, edhe ekspertët – inspektorët e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Lëshimi i një leje të tillë është në kundërshtim me ligjin dhe ne si profesionistë nuk mund të bëjmë lëshime të tilla në kundërshtim me planin detal urbanistik. Kjo pra ka qenë arsyeja e shkarkimit, por çështje të tilla që kryetari është munduar të më detyroj të lëshoj leje kanë ndodhur edhe më herët, por unë asnjëherë nuk kam pranuar”, ka thënë Kastrati.
Vendimi i sotëm i Surdullit sipas burimeve të KosovaTimes mund të qojë edhe në prishjen eventuale të koalicionit LDK-AAK në Kamenicë.
AAK në Kamenicë njihet si partia më meritore për fitoren e Surdullit në zgjedhjet e fundit lokale.
Ndryshe Në zgjedhjet e fundit lokale, Surdulli ishte mposhtur me diferencë të madhe votash nga kandidati i PDK-së, mirëpo ndihma që i dha atij AAK-ja arriti që në raundin e dytë të fitojë votat dhe të zgjedhet kryetar.