Kalo te lënda

Rexhepi: Vrasësi i Mustafës nuk është nga Vetëvendosja

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi të enjten në seancën plenare theksoi se shkrimet në media se deputeti i dyshuar për vrasjen ish-anëtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa është nga radhët e Vetëvendosjes është dezinformim.

Rexhepi para deputetëve theksoi se as Prokuroria e EULEX-it dhe as Policia e Kosovës nuk ka të dyshuar për vrasjen e Xhemajl Mustafës nga radhët e Vetëvendosjes.
Sipas tij, shkrimi i tillë ishte dezinformatë e qëllimshme për të krijuar efekte politike dhe në drejtësi.
“Opinioni publik duhet ta dijë se, as prokuroria speciale e EULEX-it, siç thuhet, as Policia e Kosovës nuk e ka asnjë të dyshuar as të hetuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e aq me pak ndonjërin nga deputetet e saj, në lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës”, tha Selimi, transmeton Telegrafi.
Rexhepi tha se pas shkrimeve të tilla ka qenë e nevojshme që të reagonin Policia ose EULEX-i.
“Të parët që do të duhej të reagonin janë EULEX-i dhe Policia e Kosovës. Ata, ose duhej ta arrestonin atë far deputeti vrasës ose të mos e lejojnë mediat e SHIK-ut e që të manipulojë me emrin e Misionit të BE-së në Kosovë dhe të flasë në emër të këtij misioni. Kjo fushatë propagandistike, përveç që është e lig, në aspektin etik është e pamoralshme, në aspektin emocional është shumë e ndjeshme, në aspektin juridik e kundërligjshme, dhe në aspektin publik e pabesueshme e cila në të njëjtën kohë si dezinformatë paraqet formën më të vrazhdë të manipulimit me publikun”, tha deputeti Selimi.

Lini një koment