Rexhepi: Krasniqi shpifi ndaj meje dhe Policisë
Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ka akuzuar kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi se ka keqpërdorur në mënyrë flagrante pozicionin e tij, duke shpifur ndaj tij, dhe duke shprehur mllefin në të dhe Policinë e Kosovës. Rexhepi ka thënë se Institucionet janë më të rëndësishme se aleancat politike të Jakup Krasniqit.
Në një konferencë për media, ministri Rexhepi ka thënë se sqarimin që është dashur ta jap në Kuvend iu mohua nga kryetari Krasniqi, gjë që u detyrua ta thërras me urgjencë një konferencë për media.
“Meqenëse një të drejtë që e kam si ministër që të jap përgjigje për akuzat e kryeparlamentarit, ajo mu cungua prandaj e thirra këta konferencë për media që t’i sqaroj ju dhe qytetarët dhe indirekt besoj se edhe kryeparlamentari do ta dëgjoj. Sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi duke e keqpërdorur në mënyrë flagrante pozicionin e tij, shpifi dhe shprehu mllef të paarsyeshëm kundër meje personalisht dhe Policisë së Kosovës”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi ka thënë se me të rëndësishme janë institucionet se sa aleancat politike të përkohshme të Jakup Krasniqit.
“Është e papranueshme të luhet me emocionet njerëzve Kosova nuk është shtet policor, mos krijoni insinuata, mos përbaltni shtëpinë që e kemi ndërtuar vet. Institucionet janë më të rëndësishme se aleancat e përkohshme politike të z. Jakup Krasniqi. Mos e shfrytëzoni Kuvendin për të shfryrë mllefin personal, policia nuk jam unë janë më të mirët e këtij vendi, por as ju zotni kryetar nuk jeni Kuvendi, nuk jeni populli, mos luani me njerëz dhe emocionet e tyre”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka mohuar kategorikisht se Policia e Kosovës ka qëndruar brenda objektit të Kuvendit dhe se iu përmbahen rregullave dhe ligjeve strikte të Kosovës.
“Deklaroi para opinionit publik për hir të së vërtetës se Policia e Kosovës nuk ka qenë në parlamentin e Kosovës dhe i përmbahet në mënyrë strikte rregullave dhe ligjeve të Kosovës. Të krahasohet PK-ja me policinë e pushtuesit, të krahasohet Qeveria e Kosovës me pushtuesin, të përdoren terma të papranueshme për të etiketuar dhe poshtëruar në sallën e Kuvendit është e papranueshme”, është shprehur me tutje Rexhepi.
Ai me tutje ka thënë se të gjithë askush pa përjashtim as ai e as deputetët nuk është mbi ligjin.
“Policia e Kosovës është për t’i mbrojtur institucionet e jo për t’i sulmuar ato, është turp dhe një herë po e përsëris është turp të tentohet të manipulohet me ndjenjat e qytetarëve. Është turp të krijohen insinuata, parlamenti është sovrani është turp të shpifet në këtë sallë, është e papranueshme që të njollosen institucionet më kredibile të shtetit tonë të ri”, ka thënë Rexhepi.