Ndërpritet seanca, Krasniqi kërkon largimin e policisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk ka pranuar të nisë seancën e sotme plenare, pasi forca të policisë, sipas tij, kanë hyrë brenda mjediseve të Parlamentit, si dhe e kanë “rrethuar” ndërtesën.
“Policia ka hyrë sot në mëngjes në hapësirat e Kuvendit, nuk e di me urdhër të kujt”, ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në hapje të seancës së Kuvendit të Kosovës.
Kreu i Kuvendit ka tërhequr vërejtjen se Kosova i ka institucionet dhe pushtetet e ndara.
“Ia bëj me dije ministrit të policisë [Bajram Rexhepi] se Kuvendi udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit… Një ministër nuk guxon të marrë urdhër që një njësit policor të hyjë brenda hapësirave të Kuvendit”.
Ai kërkoi nga kabineti qeveritar, kryeministri, ministri që mos t’i keqpërdorin ata djem që janë për të mbrojtur demokracinë, lirinë dhe për ta mbrojtur dinjitetin e institucioneve të Kosovës.
“Mos t’i përdorin ata djem e vajza për interesa private”, theksoi Krasniqi, i cili vjen nga e njëjta parti me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Krasniqi tha se me policë që kanë hyrë brenda, që e kanë rrethuar ndërtesën e legjislativit, Kuvendi i Kosovës nuk mund të mbajë seancën plenare.
Kreu i Kuvendit dha një pauzë njëorëshe. “Unë dua që forcat që e kanë zaptuar Kuvendin të hiqen dhe vazhdojmë seancën pas një ore”. /gazetajnk/