Ndërhyrjet në trashëgimi në duar të kompanive ndërtimore
Pesë kompani që për aktivitet kryesor kanë ndërtimet e larta dhe të ulëta, kanë përfituar mbi 200 mijë euro që të intervenojnë në objektet e trashëgimisë kulturore në gjashtë qendra rajonale të vendit, bën të ditur sot “Koha Ditore”. Në Ministrinë e Kulturës, që ka financuar këtë projekt, thonë se kompanitë kanë qenë të detyruara të ofrojnë fakte se kanë ekspertë të cilët janë profesionalë në fushën e ndërhyrjeve në objektet e trashëgimisë. Por ekspertë të kësaj fushe në vend kanë bindjen se këto kompani nuk kanë profesionistë e as nuk u kërkohet një gjë e tillë nga MKRS-ja. Pos kësaj, ata kritikojnë edhe mbikëqyrësit e punimeve.
Tenderi me kosto prej 216 mijë eurosh u është dhënë pesë kompanive, të cilat do të kryejnë intervenimet emergjente në objektet e trashëgimisë kulturore në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan dhe në Mitrovicë.
Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, ka thënë se kompanive të përzgjedhura për ndërhyrje emergjente u janë vënë kushte.
“Gjatë vlerësimit dhe ekzaminimit detaj të ofertave janë marrë për bazë të gjitha kriteret administrative formale dhe tekniko- profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Dragaj. Kriteret e fushës së trashëgimisë kulturore, sipas Dragajt, janë kërkuar nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore që funksionon brenda këtij institucioni. “Këto kritere duhet të plotësohen nga të gjithë ofertuesit të cilët konkurrojnë në këtë aktivitet të prokurimit”, ka thënë Dragaj. E lista e këtyre kritereve është formale. Kompanitë që kanë fituar këtë tender, që kushti kryesor është çmimi më i vogël, sipas MKRS-së, kanë së paku një inxhinier të arkitekturës dhe një të ndërtimtarisë. Një mjeshtër për realizimin e punëve të gurit dhe një në punën e drurit së bashku me përvojën dhe kontratën e punës e referencat, janë kushtet e tjera që sipas MKRS-së i kanë plotësuar këto kompani.
Por Hajrullah Çeku, drejtor ekzekutiv i organizatës “Ec ma ndryshe” nga Prizreni, thotë se këto kompani nuk kanë kësi ekspertësh. Çeku thotë se kompanitë në Kosovë nuk dinë të ndërtojnë banesa cilësore e lëre të intervenojnë në objekte të trashëgimisë kulturore. “Për të intervenuar në një objekt nevojitet një grup ekspertësh. Nuk mjafton një arkitekt”, ka thënë Çeku. Sipas tij, kompanitë ndërtimore në vend nuk kanë ekspertë në fushën e trashëgimisë kulturore. “Institucionet duhet të vendosin rregulla rigoroze kur japin kësi tenderësh. Më pas duhet një mbikëqyrje rigoroze e këtyre punimeve e që jam skeptik që po bëhet kjo”, ka thënë Çeku.
Në Ministrinë e Kulturës thonë se posa të përfundojnë procedurat ligjore të tenderit do të nisin punët të cilat do t’i mbikëqyrin nga qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore dhe nga Departamenti i Trashëgimisë në MKRS. Pikërisht këto qendra kanë qenë ato të cilat kanë bërë propozimet e objekteve, të cilat duhet t’i nënshtrohen intervenimit emergjent. MKRS-ja, përkatësisht Departamenti Trashëgimisë Kulturore, ka vendosur për një listë prej 31 objektesh. Punimet do të nisin këtë vit.
“Punimet do të zgjasin varësisht nga afati që përcaktohet në kontratë”, ka thënë Dragaj. Sipas këshilltarit të ministrit, kompanitë fituese të tenderit për intervenime emergjente kanë paraqitur minimumin tri referenca të punimeve të realizuara në fushën e trashëgimisë kulturore dhe monumente arkitekturore. Sipas tij, komisioni i autorizuar për vlerësimin e ofertave ka bërë vlerësimin duke u bazuar në dokumentacionin e dorëzuar nga ofertuesit.
Hajrullah Çeku, i cili përmes organizatës së tij “Ec ma ndryshe” prej vitit 2006 merret edhe me çështje të intervenimit direkt për mbrojtje dhe promovim të trashëgimisë kulturore, ka bindjen se këto kompani të cilat nuk kanë ekspertë në fushën e trashëgimisë duhet të përdorin taktikën e bashkëpunimit me institucione të cilat kanë ekspertë të trashëgimisë.
Por Gjejlane Hoxha, kryeshefe ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, thotë se ky problem është më i madh.
“Kosova nuk ka sistem të licencimit që do të nxirrte ekspertë në këtë fushë”, ka thënë Hoxha. Ajo ka shtuar se KKTK-ja nuk ka informacione për këto intervenime. Por Hoxha ka thënë se mënyra se si po intervenohet në këto objekte është shqetësuese. Sipas saj, intervenim emergjent mund të jetë edhe ai që një shtëpie i qitet një kulm për të mos u dëmtuar nga shiu. “Por paralelisht me këtë duhet të shkojë edhe hartimi i një plani për konservim. E këtë nuk mund ta bëjë një kompani ndërtimore”, ka thënë Hoxha.
Çeku thotë se edhe po të jetë puna për një kulm duhet të kihet kujdes. “Më pas është problemi se ai objekt nuk mirëmbahet nga askush. Nuk është puna vetëm e intervenimit”, ka thënë Çeku. E në tenderin e datës 8 tetor të këtij viti janë pesë kompani, të cilat kanë fituar punë nga MKRS-ja për t’i kryer këto intervenime emergjente. Për asnjërën nga to nuk është dhënë ndonjë informacion e as nuk është dhënë ndonjë numër kontakti.
Gazeta ka kontrolluar edhe në sajtin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në të cilat disa kompani nuk mund të gjenden e për disa të tjera nuk ka kontakte. Por ato bashkohen në një pikë: aktiviteti kryesor i tyre është ndërtimi i lartë dhe i ulët.
Kompania “PMN” nga Prishtina do të kryejë intervenimet në rajonin e Prishtinës. Kjo kompani do të paguhet me 13 mijë euro. Ndërsa kompania nga Juniku “Adhurimi” do të marrë afro 80 mijë euro për intervenimet në objektet e trashëgimisë në rajonin e Pejës. E regjistruar në ARBK, kompania nuk ka lënë mundësi kontakti. Aty, kjo kompani përpos që është regjistruar për ndërtim të lartë dhe të ulët ajo merret edhe me lyerjen dhe vënien e xhamave bashkë me suvatimin me allçi apo me llaç. Në objektet e rajonit të Prizrenit punët do t’i kryejë kompania nga Rahoveci “Albi Company”. Për këtë ajo do të paguhet 40 mijë euro. Përpos në ndërtim të lartë dhe të ulët kjo kompani është e licencuar edhe për furnizim me avull dhe me ujë të ngrohtë, telekomunikimet, tregti me shumicë, kanalizim e shërbime publike. Në aplikacionin e regjistrimit në ARBK, as kjo kompani në ka lënë adresë kontakti. Në Gjilan punimet prej 25 mijë eurosh do t’i kryejë “Mabb Contruction”. E një kompani ndërtimore nga Skenderaj, “Euro Project”, ka arritur të fitojë tenderin në dy rajone, atë të Gjakovës dhe të Mitrovicës. Për punimet në Gjakovë kjo kompani e cila për aktivitet ka edhe tregtinë me tekstil dhe realizon gërmime e sondazhe, do të paguhet 43 mijë euro. E për punimet në Mitrovicë do të paguhet nga MKRS-ja më shumë se 20 mijë euro./Indeksonline/
Lista e objekteve në të cilat do të intervenohet:
1. Rregullimi i murit rrethues të Institutit për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës
2. Konservimi i Kullës së Avdullah Pashë Drenit
3. Konservimi i Tyrbes së Tahir Efendisë
4. Xhamia në Smolicë
5. Rregullimi i Teqesë në Duzhnje
6. Tyrbja e Dervish Danës
7. Përforcimi dhe konservimi i Atik Xhamisë në Gjilan
8. Shtëpia e Isak Pozharanit në Gjilan
9. Ndërtesa e ish-depos ushtarake turke në Gjilan
10. Masat mbrojtëse për Xhaminë e Trepçës në Mazhiq
11. Konservimi i Kishës Katolike në Vinarc
12. Konservimi i mullirit në Kopiliq të Poshtëm, Skënderaj
13. Xhamia në Syriganë
14. Rregullimi i shtëpisë së familjes, pronar z. Luan Rudi
15. Konservimi i kullës në Burojë, pronar z. Rexhep Thaçi
16. Konservimi i mullirit në Kishnarekë
17. Konservimi i shtëpisë së vjetër në Kukaj
18. Konservimi i mullirit në lokalitetin e Ulpianës
19. Konservimi i Shkollës së parë shqipe – Mejtep
20. Konservimi i mullirit të Tahir Lush Bërdynajt
21. Konservimi i kullës së Selim Hoxhës në Junik
22. Konservimi i Mejtepit të Tahir Efendi Llukës
23. Konservimi i kullës në Gllogjan
24. Konservimi i kullës së Haxhi Kamer Bicajt
25. Kulla e Xhafer Sylës
26. Kulla e Abdurrahman Kajtazit
27. Rregullimi i kulmit të shtëpisë së familjes Bajmak
28. Konservimi i fasadës së shtëpisë së familjes Grazhdo
29. Rregullimi i kulmit të shtëpisë së Haxhi Izet Mashkullit
30. Konservimi i minares së Xhamisë në Drenoc ( Rahovec)
31. Konservimi i mullirit në Banjë të Malishevës