Kalo te lënda

Mbrojta e viktimave të krimit – obligim ligjor dhe moral

Përfaqësues të shumtë të organeve gjyqësore dhe të ndjekjes, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë nga komuna e Prizrenit, përfaqësues të EULEX-it, KFOR-it, PK-së, FSK-së, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, shoqërisë civile etj., kanë shënuar të enjten në Prizren “Javën për Mbrojtjen e të Drejtave të Viktimave të Krimit”, ku në mënyrë shumë të vendosur janë dhënë premtime se kjo dukuri e shëmtuar dhe e kundërligjshme nuk do të lejohet në Kosovë.

Përkundrazi, siç janë shprehur zyrtarë të lartë të Prokurorisë, Gjyqësisë dhe Policisë, lufta kundër këtij fenomeni, në të ardhmen do të jetë e pa kompromis dhe detyrë prioritare për të gjitha këto institucione.

Ismet Kabashi, kreyuprokuror i Shtetit në Kosovë, ka thënë se ky manifestim që po mbahet për të tretën herë, ka për detyrë të vetëdijesojnë të gjithë zyrtarët e institucioneve dhe organeve për zbatimin e ligjit për të respektuar të Drejtat e Viktimave të Krimit, si dhe vetëdijesimin e qytetarëve për paraqitjen e rasteve, nga të cilat ata apo ndonjë qytetar tjetër kanë pësuar.

“Viktimat e krimit kanë të drejtë në mbrojtje, në gjykimin e rasteve të tyre në një kohë të arsyeshme, në trajtim të dinjitetshëm gjatë procedurës, në kompensim për dëmet e pësuara nga krimi dhe në rehabilitim me qëllim të mënjanimit të pasojave të krimit”, ka thënë Kabashi, duke rikonfirmuar edhe me këtë rast zotimin se Prokuroria e Shtetit do të punojë me përkushtim edhe më të madh që viktimat e krimit t’i realizojnë të drejtat e tyre, se ato nga ana e PSH-së do të trajtohen me dinjitet dhe se do t’iu kompensohen dëmet e pësuara dhe do të rehabilitohen nga pasojat e krimit.

Në frymë të njëjtë kanë folur edhe Imer Hoxha, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prizren, Sylë Hoxha, kreyprokuror i Qarkut dhe Nexhmedin Krasniqi, drejtor rajonal i Policisë, kurse kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka kërkuar angazhim edhe më të madh, veçmas në luftimin e dhunës në familje dhe të trafikimit me qenie njerëzore.

Këta folës, kanë falënderuar në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin që po e bën Qendra për Strehimin e Viktimave të Krimit në Prizren dhe drejtoreshën e kësaj qendre, Jubilea Kabashi.

Lini një koment