Maqedoni, nis gjykimi i të akuzuarve të rastit “Monstra”
Provat e para që po paraqet prokuroria e Shkupit për rastin “Monstra” janë transkriptimi i bisedave telefonike mes të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit Smillkovë. Nga momenti në moment pritet të dëgjohet edhe dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur.
Seanca e parë gjyqësore kundër të akuzuarve për rastin “Monstra”, nisi 12 ditë para skadimit të afatit të fundit ligjor për të mbajtur në paraburgim të akuzuarit, shkruan gazeta Lajm e Shkupit.
Gjatë aksionit “Monstra” të realizuar më 1 maj të këtij viti u arrestuan 20 persona në mesin e të cilëve edhe gra e pleq, ndërsa shumica e tyre u liruan në mungesë të provave. Policia maqedonase për vrasjen e pesëfishtë i ngarkon Halil Demirin nga Haraçina dhe vëllezërit Afrim Ismailoviç dhe Agim Ismailoviç nga Hasanbegi.
Për dy personat e tjerë Fejzi Aziri dhe Rami Sejdiu, policia thotë se kanë ndihmuar autorët e vrasjes. Në listën e të akuzuarve ndodhet edhe Haki Haziri, i cili së pari ka qenë dëshmitar i mbrojtur, ndërsa më pas i akuzuar.