Lajçak: Nuk shlyhet fjala integritet në raportin e KE
Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe përfaqësues i BE-së për vendet e rajonit Mirosllav Lajçak ka deklaruar se Brukseli nuk kërkon nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por të respektojë integritetin territorial të saj.
Ai ka hedhur poshtë mundësinë që të shlyhet nga Raporti i Progresit për Serbinë fjalia “respektimi i integritetit territorial të Kosovës”.
“Kjo është një çështje që i takon KE-së, por personalisht mendoj se kjo është e pamundur, sepse raporti tashmë është publikuar”, ka deklaruar Lajçak.
Ai ka thënë se ajo fjali ka hyrë në Raportin e Progresit për Serbinë si një përgjigje ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë, në të cilat potencohet ndarja e Kosovës, gjë që për Brukselin është e papranueshme. “Ky formulim ishte përgjigje ndaj atyre deklaratave”, ka theksuar Lajçak.
Gjithashtu ai ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë. Sipas tij, dialogu u duhet të gjithëve dhe është thelbësor për përparimin e mëtejmë të Serbisë drejt BE-së. Ai ka theksuar se Serbisë nuk i është kushtëzuar rruga drejt BE-së me njohjen e Kosovës. /qik/