KDI dënon dhunimin e Kuvendit të Kosovës
Instituti Demokratik i Kosovës njoftoi se është duke i përcjellë me vëmendje të shtuar ngjarjet e fundit në institucionet e shtetit, veçanërisht në Kuvendin e Kosovës. Sipas KDI-së, rrethimi i Kuvendit me njësitë policore para fillimit të seancës plenare të së enjtes, si dhe prania e njësiteve të policisë brenda ambienteve të Kuvendit, është kundërkushtetuese dhe kundërligjore, si dhe cenon mbarëvajtjen e punës së institucioneve demokratike në vend.
“Prania e njësiteve policore brenda Kuvendit njëherësh jep mesazhe se demokracia në Kosovë është e rrezikuar dhe krijon imazhin e tendencave për instalimin e diktatit mbi institucionet legale të shtetit, siç është organi më i lartë në vend, Kuvendi i Kosovës”, thuhet në një komunikatë për shtyp të KDI-së.
KDI më tutje vlerëson se ky veprim i organeve të rendit është në kundërshtim me Ligjin mbi Policinë. Ata citojnë nenin 8.2, ku thuhet se “me kërkesë të institucioneve të qeverisjes qendrore ose lokale, policia është e autorizuar t’ju ofrojë ndihmë në kryerjen e detyrave publike, kur ka arsye për të besuar se siguria e personit ose e personave që kryejnë detyra publike mund të rrezikohet për shkak të rezistimit të mundshëm ndaj veprimeve të tyre”.
Sipas KDI-së, fjalimi i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dëshmoi se një ndihmë të tillë Kryesia e Kuvendit, përkatësisht kryetari nuk e kishte kërkuar dhe madje as që kishte ndonjë informatë kredibile se mund të cenohet siguria e personave që kryejnë detyra publike.
“Duke pasur parasysh të gjitha këto shkelje dhe me qëllim që të ruhet integriteti dhe pavarësia institucionale e bazuar në parimet e ndarjes së pushteteve, KDI vlerëson se kryeministri i vendit, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore që i ka, duhet t’i thërrasë vartësit e tij kompetent në përgjegjësi politike dhe ligjore ndaj ndërhyrjes dhe cenimit të integritetit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës.