Kalo te lënda

EULEX-i nuk ka kërkuar mostransmetim të intervistës së Sekiraqës

Zëvendës-shefi i EULEX-it, Andy Sparkes, thotë se misioni evropian nuk kishte shtruar kërkesë që emisioni Drejtësia në Kosovë të mos transmetohej.

“EULEX-i priste që programi të transmetohej dhe ishte natyrisht i interesuar në përmbajtjen e tij. Për aq sa e di, programi nuk ishte tërhequr me kërkesën e EULEX-it”, Sparkes i tha Gazetës Jeta në Kosovë, të enjten.

Radio-Televizioni i Kosovës (RTK) e kishte ndaluar emisionin Drejtësia në Kosovë të dielën.

Në mbrëmjen e të hënës, menaxhmenti i RTK-së ka thënë se emisioni nuk ishte transmetuar për shkak se ai mund të ndikonte në së paku dy procese gjyqësore.

BIRN-i i ka shkruar të mërkuren Bordit të RTK-së duke hedhur poshtë që për transmetimin e intervistës të kishte pasur nevojë për leje nga prokurori.

“Iu mbetet organeve të drejtësisë që në rastet kur rrezikohen hetimet apo proceset gjyqësore, të marrin masa ligjore dhe vendime të veçanta gjyqësore q të ndalojnë transmetimin dhe publikimin”, thotë BIRN-i në letër. “Në rastin konkret nuk ka pasur dhe nuk ka vendim të tillë. E konsiderojmë absolutisht të panevojshme që mediat të sigurojnë leje paraprake për transmetim”.

Lini një koment