Rrustemi dëshmon kundër Haxhajt
Dikur në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka adresuar kritika për Postën dhe Telekomin e Kosovës, ndërsa të martën ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naim Rrustemi, është paraqitur në seancën gjyqësore ku në cilësinë e dëshmitarit ka dhënë dëshminë e tij.
Këtë dëshmi ai e ka dhënë në procesin gjyqësor kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së Shyqeri Haxha, kryetarit të bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj, vëllezërve Shkëlqim e Blerim Devolli si dhe kundër avokatit të këtyre të fundit, të akuzuarit Ismet Bojku.
Në gjykimin e së martës, i cili po mbahet në njërën nga sallat e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, pos Rrustemit ka dëshmuar edhe një eksperte e policisë, ndërsa tërë ky gjykim ka nisur pas ngritjes së aktakuzës nga prokurori Joachim Stollberg.
Ky i fundit pas provave të mbledhura ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave nën dyshimin se të njëjtit kanë keqpërdorur pozitat e tyre dhe kanë shkaktuar dëm gjatë marrëveshjes me kompaninë “Dardafon” në njërën anë dhe PTK-së në anën tjetër.
Nën këto dyshime, ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së akuzohet për veprën penale të lidhjes së kontratës së dëmshme dhe për dy vepra penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare.
Për vepra të ngjashme penale akuzohet edhe kryetari i bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj derisa dy vëllezërit Shkëlqim e Blerim Devolli e avokati i tyre Ismet Bojku akuzohen për veprën penale të mashtrimit, për veprën penale të lidhjes së kontratave të dëmshme si dhe për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Naim Rrustemi me dëshminë e tij do të vazhdojë edhe gjatë seancës që do të mbahet të mërkurën ndërsa vetëm gjatë muajit tetor pritet të mbahen edhe 12 seanca përkitazi me këtë rast./standardi.info