Kalo te lënda

Rexhepi: Policia duhej të ishte më rigoroze ndaj VV-së

Urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi për të larguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga oborri qeveritar është kritikuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ministri, Rexhepi nuk i ka rënë pishman duke thënë se policia është dashur jetë më rigoroz në këtë rast.

Për këtë deklaratë të tij, ka reaguar edhe kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti i cili ka kërkuar që të përdoret gjuha parlamentare nga ministri Rexhepi, raporton “KosovaPress”.

Edhe pse në seancën plenare e të mërkurës ishte në rend të ditës debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Alma Lama lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës, ai ‘rrëshqiti’ në një temë tjetër, atë të largimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga oborri i qeverisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se sot kur është pritur të nënshkruhet kontrata për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dashur të hyjnë në objekt qeveritar, pasi që, siç ka thënë ai, është e lejueshme.

“Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ndaluar me urdhër të ministrit të rendit, i cili ishte deri tash këtu e tash nuk është dhe policia na ka nxjerrë dhunshëm nga objekti qeveritar dhe na ka mbyllur derën. Prandaj, jemi vonuar sot në këtë seancë, për shkak se policia tha: ‘kemi urdhër të mos ju lëmë të hyni’. Në kundërshtim me ligjin. Deputi ka të drejt me hy në objektet qeveritare kur të dojë dhe si të dojë duke treguar kartën e identifikimit”, ka thënë Ymeri.

Por më pas ka ardhur ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se urdhri i policisë ka qenë dashur të jetë edhe më rigoroz në këtë rast.

“Nuk e kam ndërmend për me fol për insinuata patologjike dhe boshe sot, por me qenë se u thirra. Po është e vërtet se unë kam dhënë urdhrin dhe urdhri është dashur të zbatohet edhe pak në mënyrë më rigoroze edhe dua të ju informojë se në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese nuk do të lejohet as deputetët e Vetëvendosjes as deputetët e Kuvendit, as kryesia e Kuvendit, as kryetari i kuvendit deri te presidenca me i blloku institucionet. Në këtë vend, në bazë të ligjeve ekzistuese dhe kushtetutës do të sundoj rendi, ligji dhe jo anarkia edhe kjo është derisa janë të vlefshme këto dokumente”, ka thënë ai.

Më pas Ymeri ka thënë se ministri në këtë rast s’po e thoshte të vërtetën.

“Së pari një qartësim që prapë po gënjen ministri. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë drejtuar për të hyrë në objektin qeveritar. Nuk janë nisur me blloku atë. Bllokimin e ka bërë policia. Edhe ndërhyrjen policia e ka bërë me urdhër të ministrit, në kundërshtim me ligjin, i cili na lejon neve hyrjen në objektet qeveritare në institucionet publike të Kosovës, sa herë kemi nevojë”, ka thënë Ymeri.

Për më tepër, ai ka shtuar se ministri nuk duhet me i dhënë urdhra policisë, pasi që, siç ka thënë ai, ekziston zinxhiri komandues. “Paska dhënë urdhër edhe me na rreh se po thotë më rigoroz është dashtë me qenë”, ka deklaruar Ymeri.

Për deklaratën e ministrit Rexhepi ka reaguar edhe kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, i cili ka thënë se ministri Rexhepi po përdor deklarata kërcënuese. /Telegrafi/

Lini një koment