Kalo te lënda

Lipjani shpenzoi mijëra euro në luks

Nga: Fatos Shala

 

Kryetari i Komunës se Lipjanit Shukri Buja ka shpenzuar mijëra euro në luks gjatë vitit 2011. Kjo Komunë gjatë këtij viti nuk ka kursyer parët publikë për ti shpenzuar në udhëtime, dreka-darka, telefona, derivate. Udhëheqësit e kësaj komune po ashtu kanë shpenzuar edhe para edhe në akomodimin e delegacioneve që kanë vizituar komunën.  Një rast ka ndodhur kur janë shpenzuar 9 mijë euro për akomodimin e një delegacioni turk. Këto të dhëna  janë bërë publike ne një raport të institutit GAP.

“Gjatë vitit 2011 për darka dhe dreka komuna e Lipjanit ka shpenzuar 23.864 euro, për furnizimin e komunës me ushqim dhe pije, kategori kjo që del jashtë shpenzimeve për dreka dhe darka, janë shpenzuar 19.748 euro, për telefon komuna e Lipjanit ka shpenzuar në tërësi 16.014 euro, prej tyre 13.471 euro në telefon mobil, për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit, mëditje te udhëtimeve dhe shpenzime ne akomodim janë shpenzuar 32.626 euro, karburant për vetura 67 mije 299 euro, për gjenerator 23 mije 075 euro, naftë për ngrohje qendrore 69.083 euro, blerje e druve dhe thëngjillit për ngrohje 109.000 euro. Po ashtu  në bazë të dhënave  financiare të komunës së Lipjanit për 2011 shihet se Zyra e Kryetarit ka dhenë për individ të caktuar 27.360 euro” theksohet në raport, përderisa vlerësohet relativisht i lartë shkalla e borxhit publik që grumbullon Lipjani gjatë një viti kalendarik.

Po ashtu sipas raportit, komuna e Lipjanit ka paguar mbi 9.000 euro shpenzime për një delegacion  nga qyteti Buxha të Turqisë që ka realizuar vizitë zyrtare në komunën e Lipjanit. Pagesa është bërë në emër të akomodimit dhe ushqimit të këtij delegacioni. “Nuk është e qartë se pse një delegacioni të jashtëm i mbulohen shpenzimet nga nikoqiri, ashtu siç nuk është e qartë se si është e mundur që një drejtori si ajo e Inspekcionit që mbulon sferën e ndërtimeve, të shpenzoj më shumë se Kryetari i Komunës në dreka, darka dhe udhëtime zyrtare” thuhet me tutje në raport.

Instituti për Studime të Avancuara GAP ka treguar se nga të gjeturat në këtë komunë, rezulton se Drejtoria e Inspekcionit shpenzon shumëfish më shumë për dreka dhe darka si dhe udhëtime zyrtare se sa Zyra e Kryetarit. “Zyra e Kryeartit gjatë vitit 2011  për darka e dreka zyrtare ka shpenzuar 4.666 euro, ndërsa Drejtoria e Inspekcionit ka shpenzuar 8.851 euro. Një element tjetër domethënës në ketë krahasim del të jetë edhe shpenzimi për udhëtimet jashtë vendit dhe mëditjet e marra. Kryetari për udhëtime dhe mëditje ka shpenzuar 1.842 euro, ndërsa Drejtoria e Inspekcionit 3.591 euro.  Po ashtu edhe shpenzimet në telefon janë të përafërta në mes Zyrës së Kryetarit dhe Drejtorisë së Inspekcionit. Kryetari ka shpenzuar për telefon 2.721 euro, Drejtoria e Inspekcionit 1.970 euro.

“Kjo komunë në dy vitet e fundit është karakterizuar edhe me nivel të konsiderueshëm të borxhit publik, përkatësisht faturave të papaguara. Në 2011 shuma e përgjithshëm e faturave të papaguara nga kjo komunë ka qenë 326.000 euro, përderisa një vit më herët (2010) shkalla e borxhit që ka pasur kjo komunë ka qenë trefishë më e lartë, saktësisht 1.544,300 euro” pohohet në raport.

Më tej raporti numëron edhe problemet kryesore me të cilat aktualisht përballen banoret e Lipjanit. “Ndotja dhe kontaminimi i rrjedhjes së lumit Sitnica, mungesa e ujit të pijes nëpër fshatra, mungesa e hapësira të gjelbëruara dhe të rekreacionit brenda qytetit, ndërtimet pa kriter, mos qëndrueshmëria e investimeve në infrastrukturë, krijimi i deponive të egra mbeturinash në fshatra si dhe mos sinjalizimi i vendbanimeve” llogariten si probleme madhore për komunën e Lipjanit. /Indeksonline/

 

Lini një koment