LB-ja e “kushtëzon” Thaçin me platformë të bisedimeve
Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi, është vënë në kërkim të mbështetësve të Rezolutës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, disa ditë para se ky dokument të iniciohet për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
“Koha Ditore”, është njoftuar se si të premten e javës së kaluar, Thaçi është takuar me kryetarin e Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, për të biseduar pikërisht për këtë çështje.
LB-ja është e përfaqësuar në Kuvend nga Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli. Klinaku ka konfirmuar se takimi është bërë me ftesë të vetë kryeministrit Thaçi.
“Takimi ka qenë zyrtar. Aty kemi biseduar rreth bisedimeve të mundshme, por edhe për çështjen e Rezolutës që është ngritur nga PDK-ja”, ka thënë Klinaku.
Ai ka sqaruar se Thaçit, ia ka rikujtuar katër shtyllat mbi të cilat LB-ja konsideron se duhet të zhvillohet dialogu me Serbinë.
“Dy shtyllat e para të platformës së LB-së e përcaktojnë që bisedimet politike të zhvillohen në mes të dy shteteve dhe pavarësia e Kosovës të jetë e panegociueshme. Shtylla e tretë parasheh që bisedimet të zhvillohen për çështjet e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjet të bëhen mbi bazën e reciprocitetit, ku të gjitha të drejtat që do të mund t’i përfitonin tri komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, t’i gëzojnë edhe tri komunat e Kosovës Lindore – Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Dhe në shtyllën e katërt, thuhet se: ‘Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth saj nuk mund të jenë temë e bisedimeve. Atje është kryer spastrimi etnik i shqiptarëve dhe ata duhet të kthehen në pronat e veta”.
Ndonëse përmbajtja e Rezolutës së propozuar nga PDK-ja është krejt tjetër, Klinaku ka thënë se ende ka kohë për plotësim të saj.
“Deputetët e LB-së mund ta votojnë Rezolutën, nëse ajo përmban klauzolën që Qeveria ta sjellë në Kuvend platformën e bisedimeve”, ka thënë Klinaku.
Kuleta dhe Bakalli, vitin e kaluar kanë votuar kundër Rezolutës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë (gjerësisht në “Kohën Ditore”).