Dy të vdekur dhe dhjetëra të lënduar
Dy aksidente fatale, 15 me persona të lënduar dhe 52 të tjera me dëme materiale, është bilanci i aksidenteve të trafikut të ndodhura brenda njëzetekatër orëve të fundit në territorin e Kosovës.
Një person ka humbur jetën në fshatin Dubravë të Suharekës e një tjetër në fshatin Kratinë të Leposaviqit.
Policia bënë të ditur se dje pasdite në fshatin Dubravë, derisa një këmbësor ishte duke lëvizur përgjatë rrugës është goditur nga një veturë, ku si pasojë i njëjti ka mbetur i vdekur.
Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në autopsi, kurse i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Ndërsa Kratinë, një person ka ndërruar jetë pasi që traktori me të cilin po udhëtonte, ka dalë nga rruga duke u rrokullisur në një greminë skaj rruge.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës u lirohet familjarëve.
Policia e Kosovës bënë të ditur se gjatë njëzetekatër orëve të fundit ka shqiptuar mbi 700 gjoba kundërvajtëse ndaj shkelësve të rregullave të trafikut./Indeksonline/