AGPK dënon akuzat e gjyqtares Saliuka ndaj gazetës “Kosova Sot”
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), njofton se, ka pranuar me shqetësim një informatë nga gazeta “Kosova Sot”, sipas të cilës Makifete Saliuka, u.d.e kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, i ka quajtur pronarin dhe kryeredaktoren e kësaj gazete vrasës dhe porositës vrasjesh, ndërsa gazetarët ekzekutues të vrasjeve.“Pronari i gazetës dhe kryeredaktorja janë porositësit e vrasjes, pra paguajnë për të vrarë, gazetarët janë vetëm ekzekutuesit …“, citohet të ketë thënë gjyqtarja Saliuka.
AGPK e konsideron shqetësuese një deklaratë dhe një gjuhë të tillë akuzuese që, për më tepër, vjen nga një gjyqtare. Të tilla kualifikime të rënda dhe akuza ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe të rrezikshme për sigurinë e gazetarëve.
“Znj. Saliuka duhet ta dijë se askush nuk ka të drejtë të akuzojë askënd pa fakte. Gazetarët nuk janë vrasës e as porositës vrasjesh, por përpiqen ta kryejnë punën në mënyrë sa më profesionale.
Duke sjellë ndërmend se publiku ka të drejtë të informohet për tema dhe probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, AGPK bën thirrje që gazetarët të lihen të lirë në punë, të mos pengohen, të mos fyhen e as akuzohen”, thuhet në kumtesën e AGPK-së.
Po ashtu, AGPK iu bën thirrje gazetarëve që të hulumtojnë tema në interes të publikut, pavarësisht presioneve dhe pengesave në të cilat mund të hasin gjatë punës së tyre.
Njëkohësisht, AGPK i bën thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të deklarohet, ta dënojë rastin dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj për këtë çështje.