Kalo te lënda

Sekiraça: Nuk e organizova vrasjen e Triumf Rizës

Ka vazhduar në “Kohën Ditore” publikimi i rrëfimit të Enver Sekiraçës në “Jeta në Kosovë”. Në vazhdimin e intervistës, Enver Sekiraça thotë se nuk ka pasur lidhje me vrasjen e policit Triumf Riza në gusht të vitit 2007.

“Triumfin e ka vrarë Arben Berisha (v.j. i dënuar si doras me 35 vjet). Unë e kam parë në gazetë që ai e ka vrarë”, ka thënë Sekiraça, ndërkohë që ka pranuar se me Rizën ishte përleshur më 2005.

I pyetur se a i ka dhënë ai urdhër Arben Berishës për vrasjen e policit Riza, Sekiraça është përgjigjur: “Pse t’i jap unë urdhër? Ai ushtar imi nuk është. Pse me e vra unë Triumfin? Nuk kam pasur arsye me e vra. Akuzohem (nga njerëzit) për këtë rast si organizator (v.j. i vrasjes), mirëpo kjo është trillim”.

Por ai pranon se ka pasur probleme me policin e ndjerë dhe e fajëson atë.

“Triumfi vetë ka lypë me pasë punë me mua e jo unë me të. Më ka sulmuar në ‘Swiss Casino’, ka nisur me më ra me kerr mbrapa Pallatit të Rinisë te Stacioni i Trenit…”, tha Sekiraça, duke akuzuar se shoqëruesit e Triumf Rizës e kishin plagosur atë më 2004.

Mirëpo babai i Triumfit, Shefqet Riza, përveçqë e bën Sekiraçën fajtor për vrasjen e të birit, thotë se familja edhe më tej merr kërcënime prej “bandës së Sekiraçës”.

“Kemi kërcënime edhe në shtëpi nga banda e Enver Sekiraçës. E kanë lënë letrën tek dera, madje kanë shkruar edhe mbi fotografinë e të vdekurit në derë, se gjoja ‘nëse nuk e lëshoni këtë banesë brenda 72 orëve, do t’ju likuidojmë të gjithëve’”, thotë Riza. “Në fund shkruante Allahu Ekber”.

I pyetur se ku e dinte që kjo letër ka ardhur nga Sekiraça, Riza tha: “Nuk ka kush tjetër, sepse familja ime me askënd tjetër nuk ka pasur problem. Djalin tim e ka vrarë Sekiraça”.

Sekiraça po ashtu mohon se i ka marrë haraç nga koncertet e saj këngëtares Adelina Ismajli, me të cilën polici Riza ishte në lidhje.

“Kurrë në jetë nuk jam marrë me haraç…as prej Adelinës”, tha ai. “Çka ka ajo pare me i marrë?! Unë me mujt me i ndihmu dikujt po, se me i marrë në atë mënyrë dikujt pare kurrë jo. Unë nuk jam i trentë”.

Këngëtarja Ismajli nuk ka pranuar të flasë, e kontaktuar nga gazeta.

Bardha Azari, zëdhënëse e EULEX-it, thotë se Enver Sekiraça është dorëzuar te policia e EULEX-it dhe se është arrestuar në bazë të fletarrestimit të lëshuar në vitin 20008.

“Për momentin po hetohet për tri akuza, përfshirë edhe vrasjen e policit Triumf Riza dhe po vuan edhe një dënim në Burgun e Dubravës për dy vjet, për dy vepra penale. Njëra është kërcënim dhe tjetra pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, tha Azari.

Dënimi ka të bëjë me një rast tjetër, të vitit 2007, i cili njihet si “Rasti i Ferizajt”, ku Enver Sekiraça ishte konfrontuar me pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Rasti është vendosur me aktgjykim përfundimtar të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Për nesër “Koha Ditore” paralajmëron publikimin e tregimit të Sekiraçës se si gjyqtarët e këshilluan të ikte nga Kosova.

Lini një koment