Kalo te lënda

LDK po mendohet ende

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka qëndrim sa i përket Projekt-rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, të propozuar nga PDK-ja dhe partnerët e koalicionit, mbështetur edhe nga partia opozitare AAK.

Zyrtarët e LDK-së thonë se qëndrimin do ta bëjnë të ditur të enjten në seancën plenare. Ndërkaq, ekspertët kushtetues vlerësojnë se rezoluta duhet të plotësohet me kushte për Serbinë.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se projekt-rezoluta e propozuar nga PDK-ja nuk ka të bëjë me bisedimet me Serbinë, por me një qasje të re në aspektin e komunikimit me Serbinë.
Arben Gashi, deputet i LDK-së tha se në këtë mënyrë Kosova në njëfarë forme po i kërkon falje Serbisë, në vend se të ndodhte e kundërta. Ai tha se LDK-ja është në proces të vendimmarrjes, ndërsa propozimin e quajti të parakohshëm.
“Propozimi është i paqartë dhe i parakohshëm, sepse një propozim për një marrëveshje të përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, i njëanshëm, besoj se është i ngutshëm dhe i panevojshëm sepse në këtë rast Kosova nuk është agresori, por është Serbia dhe duhet t’i propozojë Kosovës një traktat të përmirësimit të marrëdhënieve si rezultat i represioneve dhe gjenocidit që ka bërë në Kosovë”, tha Gashi për Radio Kosovën.
Nga ana tjetër, eksperti kushtetues, Riza Smaka konsideron se propozimi i kësaj rezolute do të kishte kuptim vetëm nëse do të përmbante dy kushte, heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë si pjesë integrale e saj dhe reciprocitetin në dialog. Sipas tij, pa këto kushte, nuk ka kuptim as rezoluta as dialogu.
“Nuk di çfarë kuptimi do të kishin negociatat pa këtë kusht. E pa këtë kusht nuk bën. Serbia do duhej ta hiqte njëherë e mirë atë klauzolë nga Kushtetuta e vetë dhe të pozicionohej ashtu siç i ka hije një shteti normal e jo një shteti hegjemonist”, tha Smaka për Radio Kosovën.
Sipas tij, rezoluta duhet të miratohet, por paraprakisht të amandamentohet dhe të përfshihet edhe reciprociteti, ngase pa këtë kusht, Kosova do të dilte inferiore dhe shumë e dëmtuar.
“Në qoftë se do të hynim në dialog me Serbinë politike pa reciprocitet do të ishte apriori dështim dhe kapitullim”, tha Smaka për Radio Kosovën.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës dhe partnerët e koalicionit, mbështetur nga partia opozitare AAK, ka propozuar projekt-rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe mbështetur nga SHBA-të, e ku përcaktohet që dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtarë, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.
Me këtë projekt-rezolutë synohet që Kuvendi ta autorizojë Qeverinë që ta udhëheq këtë proces dhe e obligon që të raportojë për procesin e normalizimit të relacioneve midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa rezultati në final të ratifikohet në Kuvend.

Lini një koment