Kalo te lënda

LDK anëtare e Partive Popullore Evropiane

Asambleja Politike e Partive Popullore Evropiane (EPP), sot ka miratuar propozimin për anëtarësimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në familjen e madhe të Partive Popullore Evropiane, si anëtare vëzhguese.

Asambleja ka vlerësuar reformat e thella që ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë dy viteve të fundit, reformimin e programit politik dhe ekuivalentimin e tij me programet e partive të qendrës së djathtë, si dhe reformimin e strukturës drejtuese dhe organizative të saj, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, që po i prin delegacioni të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka falënderuar anëtarët e Asamblesë Politike dhe ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij vendimi për LDK-në dhe skenën politike të Kosovës.

Partitë Popullore Evropiane (EPP) janë parti të qendrës së djathtë. Ato janë parti shumicë në pjesën më të madhe të vendeve të anëtare të BE-së.

Asambleja po i zhvillon punimet në Bukuresht, ndërsa delegacioni i LDK-së gjatë ditëve të ardhshme do të ketë një varg aktivitetesh.

Lini një koment