Kalo te lënda

KPJ: Kuvendi, trampolinë e Qeverisë

Klubi për Politikë të Jashtme të Kosovës vlerësoi të martën se Rezoluta e propozuar nga Qeveria e Kosovës për t’u miratuar në Kuvendin e Kosovës këtë të enjte është e pakuptimtë dhe e njëanshme.

KPJ theksoi se Serbia dialogun me Kosovën nuk po e quan dialog për përmirësimin e marrëdhënieve, mirëpo për të dialogu është mënyrë e shkëputjes së një cope të Kosovës ose e mbajtjes së një gjendjeje të konfliktit të ngrirë.

“Është i njëjti yrysh absurd sikur ai për t’u takuar me udhëheqësit serbë ndërkohë që këta i refuzonin takimet me udhëheqësit shtetërorë kosovarë”, vlerëson KPJ.

Sipas tyre, kjo rezolutë është e paqartë, e mjegullt dhe lë hapësirë keqpërdorimi të saj nga qeveria sepse ia lë duart e lira të veprojë sipas qejfeve të saj.

“Edhe pse neni 4 gjoja synon të përfshijë Kuvendin në procesin e dialogut përmes komisioneve të tij, në anën tjetër nuk parasheh kurrfarë mekanizmi mbikëqyrjeje të Qeverisë nga Kuvendi. Në nenin pasues vetëm thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës është e obliguar të raportojë rregullisht në Kuvend për këtë dialog por pa e përcaktuar qartë se çfarë kuptohet me ‘rregullisht’. Të njëjtin formulim e gjejmë edhe te rezoluta e fundit që autorizonte bisedimet teknike në Bruksel por kemi parë sa ‘rregullisht’ është raportuar në Kuvend për atë dialog”, thuhet në kumtesë.

“…Duke e miratuar këtë rezolutë Kuvendi i Kosovës e legjitimon ri-rregullimin e brendshëm shtetëror që do të vijë si pasojë e negociatave me Serbinë për veriun e Kosovës. Kështu Kuvendi i Kosovës me vetëdije të plotë dhe me dëshirën e tij po vihet në shërbim të Qeverisë duke i shërbyer si trampolinë”, vlerëson Klubi për Politikë të Jashtme.

Sipas tyre, mungesa e stabilitetit institucional e shpërfaqur tash e një kohë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, rrjedhimisht vendimet e marra nga këto institucione mund të vihen në pikëpyetje. /Telegrafi/

Lini një koment