Granata ministrisë
Policia e Kosovës shpërtheu në mënyrë të kontrolluar një granatë të vendosur afër objektit të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë. Të hënën, në Gjakovë ndërkaq eksplodoi një granatë dore e vendosur afër ndërtesës së komunës. Por, pos dëmeve materiale, në asnjërin rast nuk raportohet për njerëz të lënduar.
E hëna, dita e parë e punës pas vikendit, nuk nisi e njëjtë për të gjithë. Ndryshe nga institucionet e tjera, ditën e parë të javës e nisën punëtorët e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë (MTI). Zyrtarët që punojnë aty, nuk ia filluan orarit të punës si zakonisht, në orën 8 të mëngjesit. Ata u detyruan të presin për plot dy orë jashtë dyerve të objektit. Kjo pasi dikush gjatë natës kishte vendosur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të jetë granatë dore, pikërisht para dyerve të kësaj ministrie që udhëhiqet nga ministrja Mimoza Kusari- Lila.
Ishin vetë punëtorët e kësaj ministrie, ata që hasën në të, gjatë rrugës për të hyrë në vendin e punës. Kjo u bë e ditur nga Arta Istrefi, zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë.
“Ishte një zyrtar yni që e ka vërejtur një mjet shpërthyes, duke ardhur në punë. Ai menjëherë e ka lajmëruar policinë”, ka thënë Istrefi.
Ajo thotë se gjatë kohës kur u gjet ky mjet, për të cilin policia konfirmoi se është granatë dore, të gjithë punëtorët u detyruan ta braktisin objektin. Por kjo gjendje aty, nuk zgjati shumë. Policia e njoftuar nga ai që hasi i pari në granatë dore, doli menjëherë në vendin e ngjarjes. Iu deshën plot një orë e gjysmë për ta shpërthyer këtë mjet në mënyrën më të sigurt.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se Policia e Kosovës saktësisht në orën 9:30 ka bërë shpërthimin e kontrolluar të një mjeti të dyshimtë, i cili ishte vendosur te shkallët e MTI-së. Megjithatë, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Prishtinës, është shumë herët të dihet për motivet e vendosjes së kësaj granate, bash në shkallët që të çojnë drejt dyerve kryesore të Ministrisë.
“Aktualisht Policia e Kosovës është duke i bërë hetimet dhe se tani është shumë herët për të folur për të dyshuar, për vendosjen e mjetit shpërthyes”, ka thënë Borovci.
E në ndihmë për të kuptuar se kush qëndron pas këtij akti, policisë u doli edhe vetë Ministria. Arta Istrefi, zëdhënësja e MTI-së thotë se hetimet për vendosjen e këtij mjeti kanë filluar, duke u nisur nga kamerat që ndodhen përreth e objektit.
“Aty do të shihet kush e ka vendosur”, tha ajo.
Por e rëndësishme, sipas saj, është që askush nuk e ka pësuar nga shpërthimi i saj. Madje as dëme materiale nuk janë shkaktuar. Menjëherë pasi u gjet ky mjet shpërthyes në shkallët te hyrja e ministrisë që ka në krye Mimoza Kusari- Lilën, ka reaguar Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë. Në reagim thuhet se ky sulm nuk përbën asgjë tjetër, pos që jep imazh të keq për gjithë Kosovën.
“Aq më tepër kur ky mjet është vendosur në hyrje të Qendrës për Shërbime të Biznesit, i cili mund të konsiderohet si sulm i dyfishtë: ndaj institucionit si dhe ndaj bizneseve”, thuhet në reagimin e MTI-së. Sipas këtij institucioni, përveç cenimit të lirisë dhe të drejtave të punëtorëve të Ministrisë së Tregtisë, gjithashtu ky paraqet një sulm të institucioneve dhe shtetit të Republikës së Kosovës.
“MTI-ja dënon thellë këtë akt dhe mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në fund të reagimit.
Shpërthim në Gjakovë
E ky nuk është sulmi i vetëm me granatë dore që ndodhi në një institucion të Kosovës, të hënën. Diçka e njëjtë ndodhi edhe në Gjakovë. Aty ka shpërthyer një granatë dore në orët e para të mëngjesit të sotëm, afër Kuvendit Komunal të Gjakovës, me ç’rast përveç dëmeve materiale që janë shkaktuar në objektin e komunës dhe të Administratës Tatimore të Kosovës, nuk është raportuar për persona të lënduar.
Rreshter Xhevat Ibra, zëdhënës rajonal i policisë, ka bërë të ditur se sot rreth orës 03:00, policia është informuar se në rrugën “Nëna Tereze“ në Gjakovë, afër Kuvendit Komunal është hedhur një mjet shpërthyes. Ai tha se menjëherë efektivët policorë kanë dalë në vendin e incidentit për të vazhduar me këqyrjen e vendit të ngjarjes. Nuk është raportuar për të arrestuar shkruan express.
“Njësitet përkatëse të hetimeve, njësiti për dominimin e mjeteve shpërthyese kanë mbledhur prova dhe dëshmi dhe dyshohet se mjeti eksplodues është i tipit F1”, thotë Ibra, duke shtuar se gjatë eksplodimit të këtij mjeti, nuk ka pasur të lënduar dhe me që ishte në afërsi të Kuvendit Komunal në ketë ndërtesë janë dëmtuar disa xhama. Po ashtu, dëme të vogla materiale janë shkaktuar edhe në objektin e ATK-së. Lidhur me rastin, kanë filluar hetimet nga njësiti përkatës i Hetimeve Rajonale, është njoftuar edhe prokurori publik i çështjes dhe rasti do te procedohet në Prokurorinë Publike të Qarkut./standardi.info