Kalo te lënda

Gjyqtari Thomassen nuk e konteston legjitimitetin e SHIK-ut

Fatmir Xhelili është trajtuar si dëshmitar i privilegjuar të hënën në Gjykatë në rastin “Bllaca”.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari i EULEX-it, Tore Thomassen, ia ka dhënë statusin e të privilegjuarit duke e liruar nga obligimi ligjor për të folur për Shërbimin Informativ të Kosovës dhe për gjendjen shëndetësore të dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca.

Ndonëse veprimtaria e Shërbimit Informativ të Kosovës nuk kishte bazë ligjore në Kosovë, gjyqtari Thomassen nuk e ka kontestuar legjitimitetin e kësaj organizate. Në procesin gjyqësor, në të cilin po gjykohen pesë persona për një vrasje të rëndë dhe dy vrasje të rënda në tentativë, në cilësi të pjesëtarëve të SHIK-ut, ish-drejtori i Drejtorisë kundër krimit të organizuar në këtë organizatë e ka pasur të hënën në dorë që të fliste çka do që “i ka kushtuar zemra”.

“Trupi gjykues ka vendosur që dëshmitari (Fatmir Xhelili v.j.) të përjashtohet si dëshmitar. Kjo do të thotë që ky dëshmitar fare nuk është i obliguar të dëshmojë, për shkak se mund të zbulojë sekretin zyrtar”, ka thënë gjyqtari Thomassen, duke lexuar vendimin. Ai i është referuar nenit 159, pikës 1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, që ka të bëjë me dëshmitarët e privilegjuar.

“Personi i cili me deklarimin e vet do të shkelte detyrën e ruajtjes së fshehtësisë

zyrtare ose ushtarake, derisa organi kompetent nuk e liron nga ky detyrim”, thuhet në këtë nen.

Në fakt, SHIK-u si organizatë inteligjente e formuar në mars të vitit 1999 në Rambouillet, e cila ka vepruar zyrtarisht deri më 15 qershor të vitit 2008, nuk kishte bazë ligjore. Të paligjshme e konsideronte Rezoluta 1244, e cila kishte shuar edhe veprimtarinë e Qeverisë së Përkohshme, në kuadër të së cilës kishte vepruar edhe SHIK-u.

Se nuk ka pasur bazë legale të veprimtarisë e ka pohuar edhe shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli. Në dëshminë që ka dhënë në prokurori vitin e kaluar, ndonëse e ka quajtur si organizatë legale, Kadri Veseli ka thënë se pas shpërbërjes së Qeverisë së Përkohshme, Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara ishte pengesë për funksionimin e tij, e cila ka ndaluar veprimtarinë e çfarëdo shërbimi inteligjent vendës.

“Gjatë gjithë kohës ne u përpoqëm të gjejmë një marrëveshje, pasi që nuk donim sfida, sepse ishim të vetëdijshëm se si ishte situata. Kishte disa probleme juridike për shkak të Rezolutës 1244. Kjo shihej si pengesa kryesore për të legjitimuar Shërbimin e Inteligjencës. Ne punuam deri në qershor 2008, gjithmonë ishim të ligjshëm në qendër të Prishtinës. Ne u munduam të punonim brenda kësaj kornize. Deri në fund të qershorit 2008, ne kemi punuar dy vjet për një ligj për ta krijuar këtë”, ka thënë Veseli, të cilit Gjykata gjatë këtij viti nuk ia kishte dhënë statusin e dëshmitarit të privilegjuar sikurse ka vepruar të hënën me vartësin e tij, deputetin e PDK-së, Fatmir Xhelili.

Pikërisht ky fakt i është kujtuar gjykatës nga avokati Ramiz Krasniqi. Ai i ka thënë kryetarit të trupit gjykues se ishte thirrur në nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

“Ke të drejtë, edhe atëherë ke pasur të drejtë”, ia ka kthyer ai Krasniqit.

Sido që të jetë, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, ka dëshmuar si dëshmitar i mbrojtjes. Ai është propozuar nga avokati i Sadik Abazit, Ilaz Kadolli, për të dëshmuar rreth problemeve shëndetësore të tij dhe kontrolleve që ia kishte bërë ai në vitin 2004.

Por përpjekja për ta nxjerrë Bllacën “të çmendur” siç pretendon mbrojtja ka mbetur në tentativë, ngase Xhelili nuk ka folur për të, për shkak të etikës dhe betimit të Hipokratit.

“Kërkoj falje, por në pyetjet rreth shëndetit të z. Nazim Bllaca nuk kisha folur. Mund të them se po, ka ardhur tek unë në vitin 2004. Nuk dëshiroj të dëshmoj për shkak të kodit etik”, ka thënë ai.

“Në dy rrethana mund të flas: nëse klienti (Nazim Bllaca v.j.) më autorizon të flas dhe nëse Gjykata më urdhëron, atëherë Shoqata e Psikiatërve më liron nga betimi i Hipokratit përkohësisht”, ka dhënë udhëzime ai.

Kjo përgjigje nuk e ka kënaqur avokatin Ilaz Kadolli. Ai ka thënë se pikërisht për këtë e ka propozuar si dëshmitar.

“Në betim tha që nuk do të fsheh asgjë. Pikërisht për këto rrethana e kam propozuar si dëshmitar”, është shprehur ai.

Xhelili (1957) ka folur shkurt për formimin e SHIK-ut. Ka thënë se në këtë organizatë ka punuar deri më 8 janar 2008. Atëkohë ka thënë se kishte dhënë dorëheqjen për shkak se ishte propozuar për zëvendësministër të Punëve të Brendshme, detyrë të cilën e kishte marrë dy ditë më vonë. Ka thënë se ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe se gjatë luftës Sadik Abazi e ka ndihmuar UÇK-në, derisa për Bllacën ka thënë se e ka njohur vetëm me nofkën e luftës “Gjeografi”.

“Tani e njoh Nazim Bllacën me emër dhe me mbiemër. Përpara e kam njohur vetëm me nofkë. Me Nazim Bllacën jam takuar më 2004, kur ka ardhur për kontroll në ordinancën time”, ka deklaruar ai, për të shtuar se është dëmtuar nga Bllaca me akuzat e tij publike që e inkriminonin edhe Xhelilin.

“Në adresimin e tij Bllaca më ka dëmtuar bukur shumë, duke me akuzuar për përfshirje në vepra penale”, ka deklaruar neuropsikiatri Xhelili.

Ai ia ka bërë me dije trupit gjykues se është në gjendje të flasë për SHIK-un, por se nuk ka çka të shtojë më shumë sesa ish-shefi i tij, Kadri Veseli.

Ai është pyetur nga avokati i të akuzuarit Shaban Syla, Haxhi Millaku, rreth bashkëpunimit të SHIK-ut me Adem Salihajn, i cili në këtë proces është palë e dëmtuar.

“Kur Adem Salihaj ka qenë kryetar i Ferizajt, një pjesëtar i SHIK-ut ka pasur kontakte permanente me të”, ka thënë ai, duke mos zbuluar identitetin e këtij agjenti, por vetëm profesionin prej inxhinieri.

Xhelili është pyetur nga i akuzuari Shpresim Uka se për çfarë problemesh është trajtuar Nazim Bllaca tek ai dhe sa ka zgjatur trajtimi. Xhelili ka thënë se është trajtuar për probleme neurologjike dhe psikiatrike. Ai ka thënë se të akuzuarit Sadik Abazi, Shpresim Uka, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Driton Hajdari nuk kanë qenë pjesëtarë të SHIK-ut. Sipas tij, pjesë e SHIK-ut nuk ka qenë në asnjë formë as Nazim Bllaca.

Xhelili është pyetur nga prokurorja Ema Rizzato se a mund ta dëshmojë ai me ndonjë dokument pozitën e tij në SHIK. Por Xhelili ka thënë se ky informacion është i kualifikuar dhe ka shtuar se pjesëtarët e SHIK-ut nuk kanë pasur dokumente për pozitën që kanë pasur.

Ndërkohë, mbrojtja e Sadik Abazit ka hequr dorë nga dëshmia e deputetit të PDK-së, Azem Syla. Arsyeja, sipas avokatit Ilaz Kadolli, është konsumimi i çështjeve për të cilat kanë dashur ta pyesnin Azem Sylën.

Prokuroria do të vazhdojë marrjen në pyetje të Fatmir Xhelilit ditën e mërkurë. Procesi “Bllaca 2” po shkon drejt fundit.

Lini një koment