Agjentët e AKI-së me 2500 euro paga
Agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës(AKI) marrin mesatarisht nga 2500 euro në muaj në emër të pagave dhe mëditjeve. Pagat e tilla i bëjnë agjentët e Bashkim Smakiqit, nëpunësit civil më të paguar në vend, të cilët madje i tejkalojnë edhe pagat e zyrtarëve më të lartë shtetërorë.
Pavarësisht se pagat e agjentëve janë mbajtur sekret deri më tani nga institucionet kompetente, ose është përfolur se janë dukshëm më të ulëta, bazuar në buxhetin e vitit 2012 të përgatitur nga Ministria e Financave dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës për paga dhe mëditje këtë vit i ka në dispozicion 2.7 milionë euro, përderisa numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë institucion është 90.
Në bazë të një kalkulimi të thjeshtë del se paga mesatare mujore, bashkë me mëditjet, në AKI është 2500 euro, shifër kjo shumëfish me e lartë se në deklarimet zyrtare të pasurisë nga krerët e këtij institucioni.
Në deklarimin e pasurisë për këtë vit në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, vetëm pagë mujore, pa mëditje, ka deklaruar 1270 euro, zëvendësi i Smakajt, Latif Merovci, ka deklaruar pagë mujore 1180 euro dhe Agron Selimaj, inspektor i përgjithshëm në AKI, ka deklaruar 1180 euro pagë mujore.
Përpos kategorisë së pagave dhe mëditjeve, në buxhetin e këtij viti AKI-së i janë lejuar edhe 890 mijë euro për mallra dhe shërbime, 650 mijë euro për subvencione dhe transfere, si dhe 1.3 milionë euro për investime kapitale.
Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka kontaktuar të hënën nëpërmjet telefonit Bashkim Smakajn, mirëpo në telefon është përgjigjur asistenti i tij, i cili ka thënë se drejtori i AKI-së është në takim dhe nuk dihet se kur do të lirohet gjatë ditës.
Në anën tjetër,anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë(AKI), Burim Ramadani, ka thënë të hënën për “Zërin” se Kuvendi i Kosovës i di në vija të trasha shpenzimet buxhetore të AKI-së.
Mirëpo, sipas tij, bëhet fjalë për një institucion specifik, ku përpos pagave për punonjësit e rregullt, ekzistojnë edhe shpenzime shtesë për paga për agjentë dhe informatorë të ndryshëm, të cilët nuk janë në listën e pagave të rregullta.
Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës thotë se drejtori dhe kryeinspektori i AKI-së raportojnë rregullisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së.
”Unë besoj se pagat reale të punonjësve të AKI janë ato që janë publikuar me rastin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, mirëpo ka shpenzime shtesë për agjentë dhe informatorë të ndryshëm”, shprehet Ramadani.
Auditori i Përgjithshëm në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2011, i cili është publikuar ditë më parë, potencon se paga mesatare bruto në administratën publike në vitin 2011 ishte 429 euro, por mes pagave mesatare mujore në kategori të ndryshme të organizatave buxhetore ekziston një diferencë domethënëse, si në vijim:
Paga mesatare në Kuvendin e Kosovës është 1543 euro, 2913 euro për anëtarët e Kuvendit, 674 euro për administratën dhe stafin mbështetës të Kuvendit, 692 euro në Zyrën e Presidentes, 490 euro në Zyrën e Kryeministrit, 451 euro në Ministritë e Qeverisë së Kosovës, 762 euro në Agjencitë e Pavarura dhe 368 euro në Komunat e Kosovës.