RTK sqaron mos transmetimin e intervistës së Sekiraqës
Nëpërmjet një sqarimi, menaxhmenti i RTK-së njofton shikuesit se arsyeja pse nuk është transmetuar emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka qenë pamundësia për sqarimin e disa dilemave profesionale e ligjore.
Në vijim është sqarimi i plotë i RTK-së:
Ju njoftojmë se promo dhe emisioni “Drejtësia në Kosovë”, i dorëzuar për transmetim më datë 12 tetor 2012, ditën e premte, në orën 19:17, nuk është miratuar për transmetim nga ana e stafit editorial të RTK-Televizionit. Ky vendim editorial është mbështetur edhe nga menaxhmenti i RTK-së.
Madje, BIRN-it, përkatësisht znj. Jeta Xharra i është kërkuar ta tërheqë nga ueb sajti i BIRN-it dhe rrjetet sociale, njoftimin dhe promon për transmetimin e këtij emisioni ditën e diele, më 14 tetor 2012, prej orës 21:00, në RTK-Televizion.
Praktika të tilla të paralajmërimit të emisioneve përpara marrjes së miratimit nga ana e RTK-së përbëjnë shkelje të kontratës ndërmjet RTK-së dhe BIRN-it. Madje, stafi editorial dhe menaxherial i RTK-së, as nuk është njoftuar e as nuk ka miratuar realizimin e intervistës me të arratisurin e dënuar në një proces të rregullt gjyqësor, Enver Sekiraça, çka po ashtu përbën shkelje të kushteve të kontratës ndërmjet RTK-së dhe BIRN-it.
Për këto çështje, madje është e domosdoshme të diskutohet që në takimin e radhës që do ta kemi, kur presim të kemi përgjigje adekuate nga ana e BIRN-it.
Pavarësisht arsyeve tjera që lidhen me kushtet e jashtëzakonshme të punës në RTK-Televizion pas ngjarjes së 09 tetorit 2012 dhe mungesës së kohës e kushteve tjera për sqarimin e disa dilemave profesionale e ligjore, BIRN është njoftuar nga RTK se ky emision nuk mund të transmetohet përpara se të sigurohemi që përmbajtja e këtij emisioni nuk pengon të paktën dy procese të hapura gjyqësore në të cilat është i përfshirë protagonisti kryesor i këtij emisioni.
Një nga arsyet themelore që ka ndikuar në vendimmarrjen tonë editoriale për mostransmetimin e këtij emisioni është fakti se pavarësisht përpjekjeve të autorëve të emisionit, nuk është arritur të verifikohen pohimet e paraqitura si fakte nga ana e disa pjesëmarrësve në emision.
Në nenin 1.3 të Standardeve etike dhe parimeve editoriale të RTK-së, ku flitet për verifikimin e fakteve, ndër të tjera thuhet se “Gazetarët dhe redaktorët e RTK-së duhet të respektojnë rregullën themelore profesionale, sipas së cilës të gjitha faktet duhet të verifikohen para se të emetohen”.
Po ashtu, në nenin 1.8, i njëjti dokument mbi bazën e të cilit RTK ndërton standardet editoriale, thuhet se “Gazetarët dhe redaktorët e RTK-së, gjatë raportimit duhet të respektojnë integritetin personal të individëve dhe të drejtat e tyre për intimitet. Personave që sulmohen dhe kritikohen ashpër në programet e RTK-së, duhet dhënë rasti për t’u përgjigjur sa më shpejt që është e mundur.
Kundërpërgjigjja duhet të emetohet në të njëjtin emision dhe në të njëjtin termin kohor kur është bërë kritika; koha e dedikuar për të kritikuarin për t’iu kundërvënë kritikave duhet të jetë e njëjtë me kohëzgjatjen e kritikës së mëparshme. Kundërpërgjigjet që i tejkalojnë këto rregulla mund të refuzohen nga kryeredaktori i programit. Asnjë lajm apo përmbajtje programore nuk konsiderohet e drejtë, nëse:
a) nuk i përmban të gjitha faktet e rëndësishme, b) përmban fakte të parëndësishme dhe i shpërfill ato më të rëndësishmet, c) padashur apo me qëllim mashtron shikuesit dhe dëgjuesit, d) raportuesit përdorin shprehje ose makinacione që zbulojnë njëanshmërinë e tyre.
Duke qenë thellësisht të përkushtuar për përmbushjen e misionit të transmetuesit publik, RTK angazhohet maksimalisht të respektojë standardet profesionale në programet e veta.
Në mbështetje të kësaj, RTK, rastet e ndërlikuara, ku ka edhe implikime profesionale, por edhe ligjore, sidomos ku ka inkriminime për krime të rënda, për vrasje e për krime lufte, i trajton me kujdes të shtuar, gjithnjë në kuadër të mbështetjes së zbatimit të sundimit të ligjit, duke iu shmangur gazetarisë sensacionale dhe perceptimeve lidhur me kureshtjen publike.
Ne konsiderojmë se përmbajtja e këtij emisioni i tejkalon kornizat e lirisë së shprehjes dhe për shkak të pohimeve akuzuese nuk besojmë se duhet të shërbejë si përmbajtje për debat publik, por si çështje që duhet adresuar tek organet kompetente të drejtësisë.