Kalo te lënda

Mustafë Kolgecit, 3 mijë e 300 Euro për vuajtjet në burgjet Serbe

Gjykata e Shkallës së Parë në Beograd vendosi të premten se Serbia është përgjegjëse për torturat ndaj Mustafë Kolgecit, një shqiptar nga komuna e Suharekës, të cilat janë kryer nga policia serbe që e mbajtën të burgosur nga shtatori i vitit 1998 deri në janar të vitit 2000.

Siç transmeton gazeta Jeta në Kosovë, trupi gjykues ka vendosur se gjatë 16 muajve burgim policia e torturoi Kolgecin fizikisht dhe mendërisht çdo ditë dhe urdhëroi autoritetet serbe të paguajnë 380 000 dinarë [rreth 3 300 euro] si kompensim për vuajtjet që ka kaluar.

Kolgeci u arrestua në shtator të vitit 1998, në qytetin e tij të lindjes, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe më pas u akuzua për terrorizëm.

Në janar të vitit 2000, një gjykatë në qytetin e Pozharevcit në Serbi i rrëzoi akuzat kundër tij.

Gjatë 16 muajve burgim, Kolgeci u dërgua në katër burgje, në të cilat u mbajt pa mjetet më bazike – pa shtrat dhe pothuajse pa ushqim dhe ujë, që ka lënë dëmtime të përhershme në shëndetin e Kolgecit.

Një nga burgjet ku u mbajt ishte burgu famëkeq i Dubravës, i cili u bombardua nga NATO-ja në vitin 1999.

Sipas Kolgecit, pas bombardimit, policia i mblodhi të gjithë të burgosurit e mbijetuar, përfshirë Kolgecin dhe filloi t’iu gjuante me automatikë.

Ai iu mbijetoi të shtënave dhe më pas u transferua në burgun e Lipjanit.

Qendra për të Drejtën Humanitare, HLC, që dorëzoi një ankesë në emër të Kolgecit, thotë se shuma e dëmshpërblimit është jo e përshtatshme në krahasim me torturat që ai përjetoi.

Po ashtu edhe përfaqësuesit ligjorë të Kolgecit, sipas gazetës Jeta në Kosovë  deklaruan se do të apelojnë vendimin, duke qenë se nuk janë të kënaqur me shumën e dëmshpërblimit./Indeksonline/

Lini një koment