Kryeministri Thaçi kërkon me urgjencë Ligjin e konfiskimeve
Kryeministri Thaçi ka kërkuar sot nga bartësit e institucioneve që në afat rekord të plotësohen kriteret afatshkurtra, të dala nga Raporti i studimit të fizibilitetit, raporton KTV.
Në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian kryeministri ka kërkuar që të vazhdohen reformat si dhe të themelohen ekipet teknike-negociatore me BE-në. Shefi i Qeverisë ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të bëjë gjithçka që është e mundur për miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për konfiskimin e pasurisë, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga ana tjetër, përgjegjësja për integrime evropiane, ministrja Vlora Çitaku, ka lexuar Platformën e Qeverisë pas studimit të fizibilitetit, ndërsa ka thënë se në bashkëpunim me Komisionin Evropian janë duke i shqyrtuar mundësitë e themelimit të një trupi koordinues të përbashkët për monitorimin strikt të përmbushjes së kritereve.
Tabela e parë e monitorimit do të jetë gati, sipas Çitakut, deri në fund të kësaj jave.