Krasniqi, ky superkritik i PDK-së
Jakup Krasniqi ka dhënë një intervistë të gjatë me një qëndrim super kritik ndaj qeverisjes në Kosovë, disa raste në Shqipëri, vetë PDK-së, disa deputetëve ,procesit të privatizimit dhe pushtetit me vota të vjedhura. I intervistuar nga Rudina Xhunga, në emisionin “SHQIP” në Top Cannel e ka bërë qeverinë direkt përgjegjëse për privatizim të dëmshëm të ndërmarrjeve publike.
“Një deputet e tha mirë, ata nuk po dihet a po shesin a po blejnë se rolin që po e luajnë është ai i blerësit”. Ai ka theksuar edhe nevojën për politika sociale të vendit. Sipas tij,të pasurit nuk mund të kenë trajtimin siç e kanë sepse ka shtresa në nevojë. Krasniqi e ka cekur se kur Partia Demokratike e Kosovës është transformuar nga e majtë në të djathtë, nuk është pyetur Këshilli Drejtues, as organet e tjera të kësaj partie. Vendimi, sipas Krasniqit ishte marrë prej Thaçit.
Për bisedimet me Serbinë ka thënë se është kundër bisedimeve që mund të mbahen për statusin politik të Kosovës. Por ka thënë se secili dialog me Serbinë është politik. Ndërkaq, për qëndrimin e LVV-së e cila kundërshton çfarëdo dialogu thotë “Qëndrimi i LVV-së është ekstrem dhe nuk i përgjigjet realitetit”. Por ka mbrojtur LVV-në nga kritikat e deputetëve te PDK-së të cilët qëndrimin për privatizim e kishin quajtur si komunizëm venezuelas të Hugo Ghaves. Krasniqi për këto sulme të PDK-së ndaj LVV tha se është etiketim i ultë. “Etiketimet ideologjike nuk i bëjnë nder askujt, s’janë as demokratike”, Krasniqi i është kthyer edhe një herë votave të vjedhura në procesin zgjedhor. “Mua më ka ardhur shumë keq që të udhëheqë një parlament me vota të vjedhura”.
Ai ka folur edhe për grevistët, ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist në Shqipëri të cilët kanë hyrë në ditën e 24-të duke kërkuar kompensim për kohën e përndjekjes. “Qeveria shqiptare duhen t’i kompensojë ata patjetër” ka thënë pa pikë hezitimi Krasniqi.
Nikoqirja e emisionit, gazetarja Rudina Xhunga ka thënë se askush në Shqipëri nuk mund ta paramendojë homologen e tij, të Shqipërisë duke kritikuar . Sidomos në këtë masë. Aq, më pak privatizimet. /Indeksonline/