Kalo te lënda

Kosova nuk ka legjitimitet ndërkombëtar

Edhe pse mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar, shteti përballet me një legjitimitet të kufizuar në nivelin ndërkombëtar, dhe me një legjitimitet të “hendikepuar” në rajon dhe Bashkim Evropian (BE), thuhet në një raport të KIPRED-it.

Largimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GDN) në fakt paraqet pasqyrën e gjerë të trajektores së bashkësisë ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor. Derisa roli i Shteteve të Bashkuara (ShBA) po zbehet në rajon, BE-ja ende nuk ka arritur që të bindë të gjitha shtetet e veta anëtare që të kenë një qëndrim të unifikuar për rreth Kosovës, thekson Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED).

Në raportin e publikuar të hënën, “Shteti i pambikëqyrur: Në Kërkim të Legjitimitetit Ndërkombëtar”, autorët Shpend Kursani dhe Ilir Deda thanë se për Kosovën është vështirë të fitojë legjitimitetin e plotë ndërkombëtar në kornizën e tanishme.

Aspirata e Kosovës për të forcuar legjitimitetin ndërkombëtar edhe më tutje do të vazhdojë të qëndrojë mbi themele të brishta, pasi kjo varet nga vullneti i Serbisë për të bashkëpunuar; aftësia e BE-së për të vlerësuar implementimin e kushteve të saj, posaçërisht aksionin e Serbisë për të bllokuar dhe sabotuar Kosovën nëpërmjet pesë  shteteve mos-njohëse partnere në BE; dhe do të varet nga përgjigja e shteteve mos-njohëse ndaj rekomandimit të Komisionit lidhur me MSA-në.

Ilir Deda tha se marrë parasysh se BE-ja është e ndarë rreth statusit të Kosovës, instrumenti më i rëndësishëm që gëzon BE-ja në raport me Kosovën, ndoshta edhe i vetmi, është dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që për kompensim ka “më shumë BE”.

Sipas Dedës, dialogu gjithashtu i është prezantuar Kosovës si rrugë e vetme e saj për të bindur pesë shtetet mos-njohëse të BE-së që të ndryshojnë qëndrimin e tyre kundruall Kosovës, duke e bërë kështu dialogun si instrument të vetëm edhe për Prishtinën për të marrë “më shumë BE” dhe natyrisht “më shumë legjitimitet”.

Në këtë mënyrë, dialogu është shndërruar në instrument që i shërben tri synimeve të ndryshme, që në rastin e Kosovës dhe Serbisë janë synime të kundërta: Për BE-në dialogu duket se mbetet instrumenti më serioz në tryezë për të trajtuar çështjen e statusit të Kosovës – duke supozuar se graviteti i saj për anëtarësim (më shumë BE) me të vërtetë stimulon palët në dialog për kompromis dhe pajtim; Për Kosovën dialogu duket se është shtegu më i mundshëm për gjetjen e rrugës për të dalë nga pozita e saj e gjysmë-legjitimitetit ndërkombëtar; dhe për Serbinë dialogu duket të jetë një instrument i fuqishëm për të vonuar Kosovën në forcimin e legjitimitetit të saj ndërkombëtar dhe për të kapitalizuar nga procesi i anëtarësimit në BE, tha Deda.

Duke i marrë parasysh këto sfida, Shpend Kursani tha se për të mbetur stabile dhe minimalisht funksionale, Kosova nuk mund t’i bëje ballë dhe nuk duhet të llogarisë vetëm në një dialog në të cilin të dyja si Kosova ashtu edhe Serbia mbajnë ende pikëpamje dhe qëndrime absolutisht të kundërta sa i përket rezultateve të tij; një dialog në të cilin lidershipi aktual i Serbisë nuk është i gatshëm dhe nuk ka vullnet për kompromis; dialog i cili është i bazuar në politikën “më shumë BE” e cila është e mbivlerësuar për Serbinë dhe e pazbatueshme për Kosovën; dhe dialog në të cilin kompromiset e bëra nga Kosova nuk janë të bazuara në potencialin për dobi të shoqërisë në aspektin afatgjatë, por në lidershipin e dobët dhe të diskredituar që i nënshtrohet lehtë presioneve nga jashtë.

Sipas autorëve, institucionet e Kosovës janë të shtyra që të kërkojnë legjitimitet ndërkombëtar në mënyrë të nxituar me dialog me Serbinë duke anashkaluar problemet dhe funksionimin e brendshëm.

Në këtë raport thuhet se Kosova duhet që të ndryshojë strategjinë e saj për realizimin e legjitimitetit më të lartë ndërkombëtar duke e forcuar shtetin përbrenda me përfshirjen e elementëve në vijim:1)në raport me Serbinë: Kosova duhet të vendoset mbi principin që vazhdimi i dialogut me Serbinë duhet të filloj me largimin e plotë dhe të verifikuar të strukturave paralele të sigurisë në veri; Kosova duhet të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët; Në periudhën afatgjate, Kosova duhet të shohë “normalizimin” e marrëdhënieve të saj me Serbinë si instrument për marrjen e ulëses në OKB, raporton JNK.

2)

Në raport me BE-në, Kosova duhet të investojë më shumë burime dhe përpjekje në marrëdhëniet me shtetet individuale anëtare të BE-së; në periudhën afatmesme, Kosova duhet të kërkojë nga BE-ja garanci të besueshme se dialogu me Serbinë do të çojë nga njohja nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së./standardi.info

Lini një koment