Koordinohen për rrëzimin e Qeverisë
Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë marrë seriozisht kërkesën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për shkurtimin e mandatit të qeverisë Thaçi. Janë dy nënkryetarët e këtyre partive, Haki Rugova e Ahmet Isufi, të cilët konsiderojnë se kjo qeveri moti është dashur të shkojë.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova ka thënë se me Vetëvendosjen ende nuk kanë diskutuar për një bllok opozitar, porse sipas tij, kjo qeveri duhet të shkojë një këmbë e më parë.
“LDK do ta shikojë mundësinë për bashkërendim me opozitën që ta rrëzojë këtë qeveri, mirëpo tash për tash nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Rugova.
Edhe nënkryetari i AAK-së, Ahemt Isufi ka thënë se sa më parë që aprovohen reformat zgjedhore, Kosova t’i mbajë zgjedhjet.
Sipas tij, ky koalicion s’ka as legjitimitet e as kredibilitet për të marrë vendime të rëndësishme për Kosovën, pasi që “koalicioni qeverisës është ndërtuar me pakicën e përfaqësuesve të shqiptarëve në Kuvend”.
“Shumica e deputetëve të Kosovës janë në opozitë, prandaj gjithnjë koalicioni qeverisës është legjitimitet i kontestuar”, ka thënë Isufi.
Edhe opozita dhe analistët politikë vlerësojnë se institucionet e Kosovës nuk e kanë legjitimitetin e qytetarëve të Kosovës e as kredibilitetin për të marrë vendime të rëndësishme për vendin për faktin se në koalicionin qeverisës mbështet në votat e pakicës.
Po ashtu kur kësaj i shtohen edhe deklaratat e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, se deputetët shqiptarë në koalicion janë ardhur me vota të vjedhura, sipas opozitës dhe analistëve politikë, kjo qeveri duhet të shkojë një këmbë e më parë. Ata konsiderojnë se pas deklaratave të Krasniqit nuk ka asgjë të re.
Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë para disa ditësh, se një prej problemeve themelore të institucioneve politike mbetet legjitimiteti i tyre i brishtë. Dhe kjo, sipas tij, ndodh për dy arsye.
“Së pari për shkak se bazamenti i tyre ligjor krijon përfaqësim të shtrembëruar, duke e diskriminuar shumicën shqiptare. Dhe së dyti, për shkak se manipulohen me të madhe votat e qytetarëve”, ka thënë Konjufca
Se institucionet e Kosovës nuk kanë kredibilitet për të marrë vendime të rëndësishme për vendin e ka thënë edhe kryepralamentari, Jakup Krasniqi. Madje, sipas tij, deputetët e Kosovës shumica prej tyre janë në Kuvend me vota të vjedhura.
Analisti Avni Zogiani thotë se aktualisht kemi të bëjmë me ekspozimin e një shteti të krijuar mbi krimin, jo vetëm elektoral, por edhe në shumë aspekte tjera.
“Krasniqi ka nxjerrë jashtë natyrën antidemokratike të pushtetit, pjesë e së cilës ka qenë edhe vetë. Prandaj, më mirë se shumëkush e di Krasniqi se si është krijuar ky lloj pushteti që qëndron kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve kosovarë”, ka thënë Zogiani.
E sipas analistit tjetër, Shenoll Muharremi, institucionet që kanë dalë nga zgjedhjet me vota të vjedhura nuk kanë legjitimitet.
“Fatkeqësisht partitë opozitare kanë përgjegjësitë e veta që nuk kanë qenë të harmonizuara për ta parandaluar themelimin e institucioneve të cilat më pastaj kanë marrë vendime me karakter të interesit shtetëror siç janë dialogu me Serbinë, privatizimet, shpenzimet e mjeteve publike në projekte miliardësh dhe në anën tjetër nuk kanë ndërmarrë reforma që shpien te zhvillimi dhe avancimi i vendit drejt BE-së”, ka thënë Muharremi.
Për më tepër, sipas tij, Kosova dhe liderët e saj nuk kanë pasur reputacion të mirë jashtë vendit dhe kanë dështuar të konsolidojnë pjesëmarrjen e Kosovës në skenën evropiane dhe ndërkombëtare.
“Andaj, për t’ia kthyer dinjitetin Republikës së Kosovës dhe për interesin publik dhe të ardhme më të mirë, solucioni më i mirë është të ketë zgjedhje të parakohshme në të gjitha nivelet, por më kusht që paraprakisht të përfundojë reforma zgjedhore. Le të fitojë cilado parti, por le të bëjë atë pa manipulim duke respektuar rregullat dhe ligjet. Hetuesia, Prokuroria dhe Gjykata nuk mund t’i lënë të pandëshkuar manipuluesit e zgjedhjeve për shkak se një gjë e tillë është sinjal që ata mund të bëjnë një gjë të tillë prapë”, ka thënë Muharremi.
Ndryshe, ishte Albin Kurti ai që kërkoi hapur aleancën për të rrëzuar qeverinë. Ai tha se dikur ka qenë vetëm vullneti, ndërsa tash është edhe mundësia për ta bërë këtë.