Kalo te lënda

Jahjaga: T’iu qëndrojmë afër viktimave të dhunës

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga deklaroi të hënën se fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, mbesin ende të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të krimit dhe viktimizimit, ndërkaq gratë dhe fëmijët në numër më të shprehur janë viktima të dhunës në familje.

Jahjaga këto komente i bëri në fillimin e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”.

Ajo me këtë rast tha se për më shumë se një dekadë, institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, kanë krijuar sfond ligjor dhe institucional dhe kanë kontribuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore për të përkrahur viktimat e krimit.

“Sot në Kosovë, një numër i ndjeshëm i viktimave ka nevojë për përgjigjen dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme. Fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, mbesin ende të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të krimit dhe viktimizimit. Gratë dhe fëmijët në numër më të shprehur janë viktima të dhunës në familje”, tha presidentja.

Sipas presidentes, gratë nuk mund të avancojnë në aspektin shoqëror, ekonomik dhe politik nëse nevojat e tyre nuk janë adresuar, nëse siguria e tyre është kompromentuar, ose nëse dinjiteti i tyre nuk është respektuar.

“Në këtë javë të përkrahjes te viktimave të krimit, jemi së bashku për t’i dhënë shtytje përpjekjeve dhe punës së njerëzve që u qëndrojnë pranë viktimave të formave të ndryshme të krimit duke pasur përherë parasysh obligimin tonë institucional t’i përkrahim dhe t’i mbrojmë dhe të gjithë ata që janë viktima te krimit dhe dhunës, t’i ri-socializojmë dhe t’i kthejmë aty ku takojnë, në mesin tonë”, tha presidentja Jahjaga.

Lini një koment