Kalo te lënda

Ispahiu pret që RTK ta transmetojë intervistën me Sekiraqën

Producenti i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Faik Ispahiu, thotë se BIRN-i pret që intervista me Enver Sekiraqën të transmetohet dhe që televizioni publik ta përmirësojë vendimin e tij. Ai thotë se Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka njoftuar të hënën përmes një deklarate se ky medium pret që RTK të përmirësojë vendimin për mostransmetimin e intervistës me Enver Sekiraqën.

Intervista ishte planifikuar të transmetohet të dielën më 14 tetor, në terminin e rregullt të RTK-së.

“Pas deklaratës së kryetarit të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), z.Rrahman Paçarizi, se menaxhmenti i televizionit publik nuk e ka censuruar intervistën tonë me Enver Sekiraqën por nuk e ka transmetuar atë ‘për shkak të implikimeve ligjore’, njoftojmë publikun se RTK të hënën pasdite i ka dhënë një arsyetim zyrtar ekipit të Drejtësia në Kosovë në lidhje me këtë vendim duke thënë se ‘përmbajtja e emisionit tejkalon kornizat e lirisë së shprehjes dhe për shkak të pohimeve akuzuese nuk besojmë se duhet të shërbejë si përmbajtje për debat publik por si çështje që duhet adresuar tek organet kompetente të drejtësisë’”, thotë Ispahiu, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë .

“Ne jemi të bindur se mostransmetimi i intervistës është censurim që ne duam të besojmë se vjen jo nga vullneti për këtë kufizim por nga moskuptimi i procedurave dhe praktikave ligjore”, shton ai.

“RTK ka transmetuar në vazhdimësi intervista shumë të ndjeshme të kësaj natyre dhe ne ia kemi sqaruar ato menaxhmentit të RTK-së detajisht, deri te temat konkrete dhe datat e transmetimeve të ngjashme të cilat janë bërë në të kaluarën.

Ekipi i gazetarëve dhe juristëve të Drejtësia në Kosovë është siguruar, si zakonisht, që emisionin të jetë objektiv, i paanshëm, i balansuar dhe t’i plotësojë të gjitha standardet e gazetarisë profesionale.

“Si pjesë e kësaj, ekipi jonë është konsultuar edhe me gjykatës të huaj dhe vendorë, andaj emisioni është dërguar në transmetim vetëm pasi jemi siguruar plotësisht se transmetimi i tij nuk përbën asnjë shkelje ligjore. Nuk janë të rralla rastet kur organet shtetërore i janë falënderuar pikërisht emisioneve tona që kanë shpërfaqur shkeljen e ligjit. Ne konsiderojmë se edhe deklarimet e Sekiraqës janë me interes për publikun, sepse i japin një dritë të re raporteve të tij me partitë politike, me Policinë e Kosovës dhe me deputetë të sotëm në Parlamentin e Kosovës”, tha ai.

“Ne konsiderojmë, se publiku kosovar ka të drejtë të dëgjojë se çfarë ka për të thënë edhe një person i profilit të Enver Sekiraqës. Përfundimisht, BIRN ka obligim kontraktual që ta ruajë ekskluzivitetin e emisioneve për RTK-në, prandaj ne u kërkojmë ndjesë lexuesve që intervista ende nuk është transmetuar. Ne presim që intervista me Enver Sekiraqën, në dy vazhdimet e saj, të transmetohet dhe që transmetuesi publik ta përmirësojë vendimin e tij”.

“BIRN-i me punën e tij është i përkushtuar në përmirësimin e kualitetit të institucioneve publike kosovare dhe vendimeve të tyre, përfshirë këtu edhe RTK-në”, thotë Ispahiu.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me Enver Sekiraqën, pak para dorëzimit të tij në EULEX, më 26 shtator. Intervista, në të cilën ai rrëfen për të bëmat, problemet dhe atentatet ndaj tij, ishte paralajmëruar të transmetohej në terminin e rregullt, të dielën nga ora 21 në RTK.

Por, intervista nuk është lëshuar nga përgjegjësit në Radio Televizionin e Kosovës.

Pjesa e parë e intervistës është publikuar të hënën në Gazetën Jeta në Kosovë dhe në gazetën Koha Ditore. /Telegrafi/

Lini një koment