Çitaku – Kurtit: Pushteti nuk fitohet me akuza
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku beson se për pak muaj, Kosova do të jetë në gjendje t’i përmbushë kërkesat për të filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), në mënyrë që të nisin negociatat në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Ajo ka thënë se janë duke punuar intensivisht për përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, ndërsa ka thënë se ruhet konsensusi politik dhe shoqëror.
E në këtë aspekt, Çitaku ka thënë se subjektet politike opozitare duhet të vetëdijesohen se nuk fitohet vetëm me akuza, por edhe me ofrimin e ideve alternative. Duke komentuar deklaratën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, se numri i deputetëve që e përkrahin Qeverinë është më i vogël se 60, ministrja Çitaku ka thënë se sikur të ishte ashtu nuk beson që Kurti do të tregonte mëshirë ndaj Qeverisë, por do të niste një mocion mosbesimi.
E ndërkohë, ajo ka kundërshtuar edhe nënkryetarin e AAK-së, Ahmet Isufi, i cili ka thënë se qeverisja nuk është e mirë kur ka ministra që janë nën hetime. “Do të ftoj z. Isufi që të thotë me emra kush janë ata ministra që janë nën hetime. Nuk besoj që ka krizë institucionale”, ka thënë Çitaku, për “Tribuna Shqiptare”. (ORAinfo/foto: p.prenaj)