Berisha, Ramës: Kryeministër s’bëhesh dot
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në mbledhjen e sotme të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i bëri apel kreut të opozitës, Edi Rama të votojë 3 reformat e kërkuara nga Komisioni Europian me qëllim që të mos bllokohet statusi.
Berisha deklaroi se, “Ramës i bëj thirrje për kompromis, t’i votojmë këto 3 reforma, nëse i bllokon këto 3 reforma bën një gabim të pafalshëm”, tha ai, duke ironizuar se ‘kryeministër s’bëhet dot’.
Berisha përcaktoi javën tjetër si kohën e duhur kur opozita të japë konsensusin e saj për votimin e Gjykatës së Lartë, statusin e nëpunësit civil si dhe reformën parlamentare.
Kryeministri tha më tej se opozita nuk duhet ta mbajë peng votimin e ligjit për Gjykatën e Lartë me Qarkun e Fierit, pasi siç sqaroi ai, ligji njeh të drejtën që kryetari i këshillit të qarkut hiqet me mocion votëbesimi.
“Mandati i kryetarit të qarkut humbet, kur mandati hiqet nga keshilli komunal ose bashkiak përkatës. Të kërkojnë mocion votëbesimi për kryetarin e këshillit të qarkut. Ftoj zotin Rama t’i japim përgjigjen më ligjore Fierit, të bëjmë këtë akt civil që të lejojmë votimin e ligjit të Gjykatës Kushtetuese, sepse të gjithë anëtarët e zgjedhur për në këshillin e qarkut siç janë zgjedhur, mund të votëbesohen dhe të largohen prej tij”, tha Berisha. /Zëri/