Kalo te lënda

“Le Monde”: Kosova, pas pavarësisë – autonomia

Shkruan: Christophe SOLIOZ

Sikur çdo shoqëri, sikur çdo shtet, Kosova nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së vet

Mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) më 10 shtator 2012 shënoi fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Më në fund, pothuajse. Forca ushtarake e NATO-s mbetet aty, ashtu sikur dhe misioni civil evropian EULEX i ngarkuar që nga vitit 2008 për të promovuar shtetin e të drejtës. Transicioni drejt sovranitetit të plotë do të jetë progresiv. Ta shohim nga më afër.

Një vend, sado i mirë që të jetë, nuk mund të kalojë në qetësi një seri problemesh të mëdha. Të paktën, që të mos mashtrohemi me kuptimin e fjalëve, është vështirë të flitet për shtetin funksional dhe për demokracinë në Kosovë. Si precedentë, zgjedhjet e fundit janë shënuar me mashtrime të dëshmuara e korrupsioni po shtrihet deri në sferat më të larta të pushtetit. E pavarur, Kosova po mbetet de facto e ndarë në dysh, strukturat paralele serbe janë të pranishme kudo, ndërsa dialogu me autoritetet serbe është në pikën e vdekjes.

Rritja relative ekonomike shpjegohet me fenomenin e arritjes së gabuar me rindërtim pas fundit të konfliktit në vitin 1999, me transfertet e diasporës kosovare dhe me ndihmën publike të zhvillimit. Mbetet që situata ekonomike të jetë së më paku preokupuese: Në kohën që të ardhurat vazhdojnë të zvogëlohen, deficiti publik nuk pushon së rrituri.  Autoritetet kosovare megjithatë kanë shtuar shpenzimet publike, “duke harruar” të rregullojnë nevojat e llogarive publike.

Është e vërtetë, krahasuar me situatën e verës së vitit 1999, gjendja nuk është ajo. Por nuk duhet kënaqur me këtë bilanc, i cili e implikon bashkësinë ndërkombëtare po aq sa dhe autoritetet kosovare.

Si të shpjegohet rruga pa krye në të cilën gjendet sot Kosova? Pos leksionit shumë shpesh të harruar se “askush nuk i do misionarët e armatosur” (Robespierre), duhet thënë, edhe me çekan, se demokracia nuk eksportohet, ose eksportohet shumë pak. Kësaj le t’i shtohet edhe konstatimi i trishtueshëm se strategjitë e bashkësisë ndërkombëtare na paraqiten sistematikisht unilaterale dhe unidimensionale – e për këtë ilustrim të ri na jep kriza greke.

Në momentin që programet e ndërhyrjes zbatojnë një kushtëzim shumë të ngushtë, vetëm sa për rezultatin e “sindromës së varësisë”, nocionet e partneritetit dhe të përshtatjes së autonomisë, zbulojnë vetëm dëshira. Efekti i pasqyrës: “Aktorët vendorë” më kot e hedhin përgjegjësinë tek “aktorët e jashtëm” në mënyrë që nga ekonomia ta bëjnë një konsensus dhe një politikë angazhuese të reformave reale. Pos Kosovës, edhe Bosnjë – Hercegovina e ilustron këtë .

Ky problem sistematik shpjegohet vërtet pjesërisht me vështirësitë e vërteta për të kuptuar realisht një shoqëri “ndryshe”, “të huaj”. Megjithëkëtë, më fundamentalisht, një koncepcion i historisë është në vepër këtu: Qoftë ajo “fshehje e dimensionit themelues të shoqërisë dhe të imputimit të origjinës e të themelit të institucionit dhe të domethënies që bart ai me një burim ekstra social”, siç e ka vërejtur mirë Cornelius Castoriadis.

Sikur çdo shoqëri, sikur çdo shtet, Kosova nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së vet. Në kuptimin se shoqëria është autoinstitucion, autokreacion. Në të vërtetë, “autonomia është e mundur vetëm nëse shoqëria njihet si burim i normave të veta ” (Castoriadis).

Kosova tani duhet ta zbulojë sfidën e autonomisë. (marrë nga koh aditore)

(Christophe Solioz është sekretar i përgjithshëm i Qendrës për Strategjitë e Integrimeve Evropiane ( CEIS), Gjenevë. Christophe Solioz sapo ka botuar, bashkë me Paul Stubbs: Towards Open Regionalism in South East Europe, Baden-Baden, Nomos, 2012)

Lini një koment