Kalo te lënda

Hasan Prishtina me shtatore edhe në Shkup

Shkup, 14 tetor – Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit shqiptar, Shtatorja e veprimtarit të madh kombëtar Hasan Prishtina, para disa çasteve u zbulua edhe në Shkup në sheshin “Skenderbej”. Në këtë eveniment morën pjesë shumë funksionarë të lartë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa fjalime mbajtën Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, (BDI)  Ali Ahmeti, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, familjari i veprimtarit Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina dhe kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.“Sikur të mos ndodhte lufta e parë ballkanike, meritat e Vlorës do t’i takonin Kosovës”, kishte thënë Hasan Prishtina në kujtimet e tij, duke veçuar meritat e Vilajetit të Kosovës, me atëherë kryeqendër Shkupin, në procesin e krijimit të shtetit shqiptar.

“Hasan Prishtina i madh është në Tiranë, Hasan Prishtina i madh është në Prishtinë, por Hasan Prishtina më i madh është në Shkup, sepse këtu ai bëri projektet, ai këtu punoi, frymëzoi dhe brumosi luftëtarë e luftëtarë për ti dalë zot vendit, për ti dalë zot vatanit”, ka deklaruar në fjalimin e tij Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ndërsa kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se Shkupi, nuk do të ishte ky që është sot, pa Hasan Prishtinën, prandaj e meriton që të qëndrojë vetëm disa metra pranë heroit më të madh kombëtar, Skenderbeut.

Ndërsa pinjolli i familjes së Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, nga foltorja fillimisht falënderoi të gjithë ata që ndihmuan vendosjen e shtatores së Hasan Prishtinës në Shkup, si Komunën e Çairit dhe ITKSH-në dhe shtoi së Shkupi ka qenë udhëkryqi i të gjitha veprimtarive kombëtare të Hasan Prishtinës.

Me këtë rast fjalim mbajti edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili çmoi veprat e Hasan Prishtinës por edhe vendosjen e shtatores së tij në Shkup.

Me këtë përurim të shtatores së Hasan Prishtinës në komunën Çair të Shkupit u përmbyll manifestimi disaditor, me ç’rast u mbajt edhe tribuna shkencore kushtuar këtij personaliteti që shkriu pasurinë për kryengritjen e madhe të vitit 1912.

Hasan Prishtina qe vrarë në një atentat në Selanik, më 1933.

Kohë më parë, pasardhësit e Prishtinës dhe ata të familjes së mbretit Zog shtrinë dorën e pajtimit, pas konflikteve që kishin pasur figurat që kanë bërë historinë e re të Shqipërisë, raporton KTV-ja.

Lini një koment