Baumgartner do të provojë përsëri hedhjen nga stratosfera
Sportisti austriak i disiplinave ekstreme, Felix Baumgartner, sot (e diel) do të përpiqet që të hidhet përsëri nga lartësia prej rreth 37 kilometrash (saktësisht 36.576 metra) mbi New Mexico, për të realizuar hedhjen e lirë më të lartë dhe më të shpejtë në histori.
Hedhja, e cila është në kuadër të misionit Red Bull Stratos, është shtyrë tri herë për shkak të erërave të fuqishme, ndërsa meteorologët për sot kanë paralajmëruar kushte të mira atmosferike dhe aventura pritet të fillojë rreth orës 15:30 me kohën tonë.
Ekipi i Baumgartner ka njoftuar përmes Twitterit se rreth orës 11-të është lëshuar një sondë që do ta masë shpejtësinë e erës në lartësitë mbi 30 kilometra.
43-vjeçari ka planifikuar të ngjitet në stratosferë me ndihmën e një balone me helium dhe më pas të hidhet, për t’u bërë parashutisti i parë që do të thyejë “barrierat e zërit”.