“Turbo” miratimet e Kuvendit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të premten me shumicë votash Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, për të cilin ligjvënësit opozitarë dhe ata të partive në pushtet janë përplasur disa herë.
Deputetët e partive opozitare kanë insistuar që projektligji në fjalë të kthehet mbrapa, ngase sipas tyre, nuk i plotëson kërkesat e pensionistëve, mirëpo të kundërtën e kanë bërë deputetët e shumicës.
Fillimisht miratimin e projektligjit e ka kërkuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, i cili ka pohuar se është i vetëdijshëm që ky projektligj nuk i plotëson të gjitha kërkesat e pensionistëve, por, sipas tij, ai nuk është aq i keq sa është cilësuar.
“E di që pensionistët kërkojnë më shumë beneficione sesa ky ligj. Ne kemi shfaqur gatishmërinë tonë për rritjen e pensioneve. Mendoj se një rritje prej 40 për qind është evidente”, ka thënë ai.
Në mbrojtje të ministrit Rashiq ka dalë Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës. Deputetja e kësaj partie, Salihe Mustafa, ka vlerësuar se projektligji në fjalë duhet të miratohet, ngase, sipas saj, ai nuk ka vërejtje dhe si i tillë është i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, shkruan Zëri.
Ndërkaq, në emër të Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Bahri Thaçi ka bërë thirrje që ky projektligj assesi të mos miratohet, ngase sipas tij, ai ka ardhur në Kuvend pa pësuar ndonjë ndryshim nga versioni i mëhershëm, të cilin Kuvendi ia patë kthyer mbrapa Qeverisë.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër këtij projektligji. Deputeti i këtij subjekti politik, Liburn Aliu, ka thënë se sistemi pensional që aktualisht e ka Kosova është i padrejtë, ngase, sipas tij, ai i injoron pensionistët e sotëm dhe përkujdeset vetëm për ata të së ardhmes.
Kundër projektligjit është shprehur edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi, sipas së cilës, ky dokument nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e pensionistëve.
Ndryshe nga kjo, gjatë seancës plenare, ligjvënësit kanë shqyrtuar edhe dy projektligje të tjera, përkatësisht Projektligjin për provimin e jurisprudencës, dhe atë për komunikimet elektronike, propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Universitetit të Prishtinës për vitin 2011, Statutin e ri të këtij universiteti./Indeksonline/