Konfisikimi i pasurisë real apo mashtrim!
Kalimin në lexim të parë të Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë të Fituar me Vepër Penale në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, organizatat joqeveritare e shohin se tentim për t’iu hedhë hi syve qytetarëve të Kosovës, ”gjoja se me këtë ligj do të konfiskohet pasuria e paligjshme”.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ky projektligj është dashur t’i kthehet mbrapsht Qeverisë që t’i qaset seriozisht problematikës së konfiskimit të pasurisë së paligjshme. “Në esencë ky projektligj nuk ofron asgjë substanciale dhe nuk e mundëson luftimin e pasurive të paligjshme, por vetëm pasurive të paligjshme që gjithsesi duhet të burojnë nga aktivitetet kriminale”, ka thënë Musliu. Sipas tij, ky projektligj nuk ofron asgjë më shumë sesa ka qenë e rregulluar në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale. “Problemet ekzistuese të pasurive të paligjshme assesi nuk do të mund të luftohen me këtë projektligj dhe ligjet tjera.
Përmes këtij projektligji realisht e gjithë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme do të amnistohet pasi që personat e përfshirë në krim kanë mundësi që në asnjë moment të mos jenë në pronësi të ndonjë pasurie të prekshme”, ka thënë Musliu. Sipas tij, ky projektligj nuk mundëson që të vihet në pikëpyetje pasuria e të tjerëve, të cilët nuk kanë të ardhura të mëdha, ndërsa në anën tjetër kanë pasuri marramendëse, përderisa të njëjtit nuk inkriminohen në krim drejtpërdrejt.
IKD ka kërkuar që konfiskimi i pasurisë të rregullohet në procedurë civile, në të cilën barra e provës bie mbi personin që e posedon pasurinë, dhe për të cilën para organeve shtetërore obligohet ta dëshmojë ligjshmërinë e saj, në të kundërtën i konfiskohet. “Arsyetimi i Ministrisë së Drejtësisë se nëse barra e provës do të bartet tek i pandehuri rrezikon seriozisht shkeljen e të drejtave të qytetarëve, nuk qëndron dhe kjo dëshmohet pikërisht në këtë projektligj, ku në një fazë të procedurës (neni 6), barra e provës kalon tek i pandehuri, i cili brenda 30 ditësh duhet të dëshmojë ligjshmërinë e pasurisë së tij. Pra, barra e provës po hidhet tek i pandehuri ndërsa kjo po shihet si problematike në rastet tjera për krijimin e një ligji, i cili në tërësi do të rregullon në këtë mënyrë konfiskimin, pra në procedurë civile”, ka thënë Musliu.
Arton Demhasaj, këshilltar ligjor në Organizatën “Çohu” thotë se ky ligj është dashur të kthehet mbrapsht. “Këtë projektligj si të tillë çfarë ka kaluar dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më tepër e konsideroj si projektligj për amnistimin e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme nga paslufta e deri me sot se sa një projektligj për konfiskim të pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, si element i panegociueshëm dhe i padiskutueshëm është se ky projektligj duhet të emërtohet si ligji për konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme. “Elemente tjera shtesë që konsiderojmë që duhet të përmbajë ky projektligj janë: barra e provës të bartet tek i dyshuari kur kemi të bëjmë me dyshime se i dyshuari ka pasuri të fituar në mënyrë të kundërligjshme; pastaj lejimi i retroaktivitetit të ligjit për të gjitha pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme pa marrë parasysh kohën e fitimit të pasurisë, gjithashtu krijimi i strukturave të veçanta për konfiskim brenda institucioneve ekzistuese do të ndihmonte në luftimin e fenomenit të pasurimit të paligjshëm”, ka thënë Demhasaj.
Ndërsa drejtori i Agjensionit Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, ka thënë se ky ligj nuk është punuar për ta, pasi që nuk iu hyn fare në punë. “AKK-ja nuk ka të bëjë asgjë me këtë ligj, nuk ngarkohemi me të, pasi që i tëri është çështje e gjykatave. Ne kemi tri ligje në bazë të të cilave funksionojmë, Ligji për AKK-në, Ligji për Deklarimin dhe Kontrollimin e Pasurisë dhe Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, ka thënë Preteni.
Me 41 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime të enjten është miratuar në Kuvendin e Kosovës në lexim të parë Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë të Fituar me Vepër Penale. Përveç PDK-së, të gjitha grupet parlamentare ishin që ky projektligj të kthehet mbrapa.
Cita: “Në esencë ky projektligj nuk ofron asgjë substanciale dhe nuk e mundëson luftimin e pasurive të paligjshme, por vetëm pasurive të paligjshme që gjithsesi duhet të burojnë nga aktivitetet kriminale”, ka thënë Musliu.