Koalicionit qeverisës 2 deputetë i shkuan, 2 të tjerë u bashkuan
Koalicionit qeveritar nuk i ka më dy deputetë. Muhamet Mustafa nga Grupi i Ekspertëve E-15 dhe Amir Ahmeti nga Partia e Drejtësisë, që të dy deri tani ishin pjesë e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, por kanë vendosur të largohen. Por, deputetët, Emilia Rexhepi dhe Danush Ademi i janë bashkuar Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re.
Muhamet Mustafa nga Grupi i Ekspertëve E-15 pranon se largimi i tij nga koalicioni qeverisës lidhet me procesin e privatizimit. Ai tha për Radio Kosovën se privatizimi është një çështje shumë e rëndësishme, që e ndanë atë nga mënyra e veprimit të Qeverisë. Mustafa tha mënyra e tij e të bërit opozitë, do të dallojë nga opozita e zakonshme.
“Nuk do të jem kundër qeverisë si zakonisht opozita, por nëse qeveria bien në shqyrtim çështjet të cilat janë në vijën e programit tonë unë nuk kam arsye që t’i kundërshtoj, veç pse i bien Qeveria, por nëse Qeveria vazhdon të punojë në këtë mënyrë me privatizimin edhe me një qëndrim të tillë ndaj Kuvendit, natyrisht se unë do t’i bëjë opozitë shumë të fortë”, tha ai.
Mustafa tha se si deputet i vetëm i Grupit të Ekspertëve E-15 do të veprojë si i pavarur në opozitë, por ai nuk e përjashton mundësinë e formimit të një grupi të ri parlamentar.
“Natyrisht në këtë moment i vetëm, por mund ndoshta të krijohet ndonjë grup i ri parlamentar”, tha ai.
Radio Kosova ka provuar të kontaktojë edhe me deputetin tjetër të larguar nga Koalicionit për Kosovë të Re, Amir Ahmeti, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.
Por, deputetët Emilia Rexhepi dhe Danush Ademi i janë bashkuar Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re.
Ky vendim i tyre është bërë i ditur sot gjatë një konference për shtyp të Koalicionit për Kosovë të Re, konferencë kjo e cila është duke u mbajtur në ambiente të Kuvendit të Kosovës.
Emilia Rexhep, është deputete e komunitetit boshnjak, ndërsa Danush Ademi, i komunitetit ashkali, në Kuvendin e Kosovës.
“Koalicioni për Kosovën e Re mirëpret dy deputet të rinjë në grupin e saj parlamentar. Kjo është shenjë e vijimësisë politike dhe fuqizimit të grupit parlamentar të KKR-së, dhe trendit të rritjes së fuqizimit të partisë Aleanca Kosova e Re”, ka theksuar shefja e Grupit parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani.
Sipas saj, AKR dhe aleatët e vet politikë mbesin të hapur dhe mirëpresin prurje të reja dhe të fuqishme në kuadër qoftë të grupit parlamentar qoftë të partisë. (RTK)