Brukseli po punon për një raund të ri të bisedimeve
Zyrtarët e BE-së po zhvillojnë konsultime me zyrtarë nga Kosova e Serbia për të diskutuar formën, vendtakimin dhe temat kryesore në dialogun e ngadalësuar.
“Brukseli është duke ndërmjetësuar rreth detajeve të takimit dhe platforma përfundimtare do të bëhet publike atëherë kur këto detaje të jenë në përputhje me të dyja palët”, i tha një diplomat i BE-së, Gazetës Jeta në Kosovë.
Sipas këtij burimi, Bashkimi Evropian është përpjekur të shpejtojë rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd, para se Samiti i BE-së të fillojë në dhjetor.
Raportuesi i Serbisë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, ka mbajtur takime të ndara me dyer të mbyllura me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe para pak kohësh, të dy kryeministrat u takuan me Catherine Ashton në New York.
BE-ja ka ndërmjetësuar në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit të filluara në mars të 2011-ës, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve të cilat synojnë t’i bashkohen familjes evropiane.
Kosova e shpall pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi ka thënë se nuk do ta njohë humbjen e provincës së saj, porse është i hapur të diskutojë çështje praktike me Kosovën.
Por, jo të gjitha marrëveshjet janë implementuar. Bisedimet u ndërprenë si pasojë e ndryshimeve politike në Serbi, përkatësisht, zgjedhjeve të përgjithshme, lokale dhe presidenciale.
Aleksandër Vulin, kreu i zyrës qeveritare për Kosovën në Serbi, konfirmoi që puna në platformën e bisedimeve të reja ishte në procedure e sipër. Por ai nuk pranoi të zbulonte ndonjë detaj të ri rreth bisedimeve.
“Kur pala tjetër [Kosova] të përgjigjet dhe komiteti ndërkombëtar të dalë me diçka konkrete, ne menjëherë do të tregojmë qëndrimin tone”, tha Vulin, të mërkurën.
Bisedimet priten të vazhdojnë në një nivel më të lartë politik se më parë. Thaçi tashmë ka shprehur gatishmërinë për ta udhëhequr delegacionin kosovar, përderisa Daçiq pritet të konfirmojë rolin e tij në bisedime.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit është kusht themelor për të dyja vendet nëse ato dëshirojnë progres drejt Bashkimin Evropian. /Gazeta J’n’K/