Valë e re azilkërkuesish në Gjermani
Autoritetet gjermane kanë rritur shqetësimet dhe reagimet lidhur me valën e re të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia.
Mediat gjermane kanë alarmuar shqetësimet e autoriteteve të disa landeve, të cilat gjatë muajit shtator dhe në fillim të këtij muaji janë përballur me fluks masiv të qytetarëve nga Maqedonia dhe Serbia që kërkojnë statusin e azilit në Gjermani, informon agjencia e lajmeve INA.
Disa nga ministrat e brendshëm të landeve kanë kërkuar që të shqyrtohet liberalizimi i vizave për shtetasit e dy vendeve të Ballkanit. Ndërsa, një kërkesë e tillë ka ardhur edhe nga ministri i brendshëm federal, Hans – Peter Fridrih. Ai ka tërhequr vërejtjen për mundësinë e suspendimit të regjimit të vizave me Maqedoninë dhe Serbinë.
“Heqja e vizave me këto dy vende duhet të shqyrtohet”, deklaroi Fridrih, i cili i takon Unionit Kristiano Social (CSU) që është partia simotër e CDU-së së kancelares gjermane Angela Merkel.
Ai ka theksuar se liberalizimi i vizave nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të azilit. Statistikat tregojnë rritjen e numrit të azilkërkuesve, ndërsa kryesisht bëhet fjalë për pjesëtarë të komunitetit rom të të dyja vendeve. Muajin e kaluar ka arritur në 1400 numri i aplikuesve për statusin e azilit. /Telegrafi/