Kalo te lënda

S’ka ristrukturim të EULEX-it

Pavarësisht kritikave që i ka dhënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere ndaj misionit EULEX, të cilin e ka vlerësuar se është në rrugë të gabuar dhe si i tillë duhet të rishikohet, Brukseli zyrtar nuk e ka ndërmend të bëjë “akrobacione” me këtë mision.

Ndonëse thonë se i pranojnë komentet konstruktive rreth misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit, Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësues së lartë të BE-së, Catherine Ashton, thotë se mandati i  EULEX-it në Kosovë tashmë është i rishikuar dhe dakorduar nga të gjitha shtetet e BE-së, shkruan “Zëri”.

“Mandati i ri dyvjeçar i misionit, i cili përfshin një strukturë të re, fokus të ri në drejtësi dhe ribalansim të forcës në veri me vendosjen e njësiteve të reja policore është dakorduar nga i gjithë stafi ushtarak i BE-së në qershorin e këtij viti”, thotë ajo.

Ky qëndrim i BE-së vjen një ditë pasi që ministri gjerman ka thënë se EULEX-i nuk po punon konform asaj se pse ka shkuar në Kosovë, por me mospunë po e ngarkon edhe misionin e KFOR-it ku më së shumti ka ushtarë gjerman.

“Na duhet një nismë e re, në emër i ri, një strukturë e re, njerëz të rinj dhe mandat i ri. Në çdo rast, (EULEX) është në rrugë të gabuar. Na duhet që këtë ta zgjidhim në nivel të BE-së”, ka kritikuar ministri gjerman i Mbrojtjes.

Duke iu referuar këtyre kritikave, Kocijancic thotë se kohë më parë, BE-ja ka vendosur për një proces gjithëpërfshirës rishikimi për misionin e EULEX-it dhe atë me qëllim të përmirësimit të funksionalizimit dhe rritjes së efektshmërisë së misionin.

Ajo e pranon se gjendja në veri të Kosovës mbetet e tensionuar dhe sipas saj, potencialisht e paqëndrueshme. /Telegrafi/

Lini një koment