Një i vrarë në Prizren
Një rrahje e para një jave dhe dehja nga alkooli kanë qenë shkaktare të një përleshjeje në Prizren, e cila ka rezultuar me vrasjen e një personi. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Sipas policisë, rreth orës 23:00, në rrugën “Sali Bytyçi” në Lagjen “Bajram Curri” në Prizren ka ndodhur një përleshje fizike në mes të pesë personave të dyshuar në të cilën janë përdorë armë të zjarrit, mjete të forta dhe thika.
Hetues rajonal, krim teknika, prokurori dhe Drejtori Rajonal kanë kryer hetimet fillestare në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se të dyshuarit Alemi Gavazaj nga fshati Zhur, Fadil Dema nga lagjja Tusus dhe viktima Qazim Brahaj nga Arbana, të gjithë nën ndikim të alkoolit kanë shkuar në Prizren, në lagjen “Bajram Curri” për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me të dyshuarin Xhelbrim Xhoxhën.
Më tej komunikata sqaron rastin se gjatë rrugës, të njëjtit e marrin me vete edhe Fazli Saramatin (edhe ky i dyshuar) për të ndërmjetësuar. Me të arritur në vendin e ngjarjes plasë sherri ngase edhe Xhelbrimi ishte nën ndikim të alkoolit. Sipas hetimeve të para, policia thotë se dyshohet që Xhelbrimi pasi ishte sulmuar, ka nxjerrë një pistoletë nga brezi dhe ka shtënë në drejtim të sulmuesve duke e vrarë Qazim Brahën.