Kalo te lënda

Negociatat me BE-në mund të fillojnë në gjysmën e parë të 2013-s

Kryeministri Hashim Thaçi priti sot komisionarin evropian për zgjerim, Stefan Füle.  Në takim është biseduar për Dokumentin e Studimit të Fizibilitetit për MSA në mes të BE-së e Kosovës, i cili është publikuar të mërkurën nga ana e Komisionit Evropian.

Pas takimit, Thaçi dhe Fülle janë prononcuar para gazetarëve.

Pasi falënderoi në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për angazhimin personal të komisionarit në përafrimin e Kosovës dhe rajonit në BE, kryeministri i vendit tha se integrimi i Kosovës në BE nuk është opsion, nuk është ndonjë luks. “Integrimi i Kosovës në BE është qëllimi ynë, vizioni ynë”.

Ju siguroj i nderuari Komisionar që Kosova do të prodhojë argumente të qëndrueshme dhe të mjaftueshme për ju, në mënyrë që ta shtyni agjendën tonë evropiane përpara. Ne jemi të bindur se për pak muaj do t’i përmbushim kriteret afatshkurtra”, tha Thaçi, duke dhënë premtimin që reformat e shumta demokratike, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, reforma e administratës publike, mbrojtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore, të drejtat e komuniteteve, janë fusha në të cilat do të koncentrohet puna e qeverisë maksimalisht.

Thaçi tha se dialogu është mënyra e vetme për të ecur përpara. “Kosova ka ndërtuar fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit. Kosova është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve edhe me Serbinë”, tha kryeministri, duke shtuar se evropianizimi i rajonit duhet të ndodhë para integrimit në BE.

“Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara në rrugën evropiane, duke ia lehtësuar punën njëra-tjetrës dhe jo duke e penguar”.

Stefan Füle deklaroi se studimi konfirmon se nuk ka ndonjë pengesë ligjore për të përfunduar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së, dhe se Kosova është shumë e gatshme për të hapur negociatat për këtë Marrëveshje.

“Nëse keni konsensus të fortë dhe punoni seriozisht, besoj se do të mund të filloni negociatat në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, tha komisionari për zgjerim i BE-së.

“Rruga e Kosovës drejt BE-së nuk varet nga ne në BE, varet ekskluzivisht nga puna juaj në reforma dhe po ashtu njëjtë edhe në aftësinë tuaj për të ndërtuar një konsensus të fortë në shoqërinë kosovare”, përfundoi ai.

Lini një koment