Marrin paga nga Kosova dhe nga Serbia
Pozitën e drejtorit të shkollës fillore “Sveti Sava” në Kllokot, e ushtrojnë Milivoje Spasiq dhe gruaja e tij Gordana. I pari është emëruar nga autoritetet arsimore të Serbisë, ndërkaq e dyta nga ato të Kosovës. Por, nuk janë të vetmit këta që punojnë me të dy sistemet. Edhe 32 mësimdhënës të shkollave të Kllokotit marrin paga nga të dy sistemet.
Ky problem sipas drejtuesve institucionalë të Kllokotit, mund të zgjidhet vetëm nga drejtuesit më të lartë institucionalë të Kosovës dhe të Serbisë.
Rastin e pagesave të dyfishta të punëtorëve arsimorë serbë dhe të ushtrimit të detyrës së drejtorit të shkollës fillore në Kllokot nga bashkëshortët Spasiq, e pranojnë edhe drejtuesit komunalë të Kllokotit. Ata thonë se problemet në arsim nuk mund të zgjidhen nga strukturat komunale, por ato u takojnë nivelit qendror, shkruan koha.
Sasha Mirkoviq, kryetar i Kllokotit, ka thënë se drejtori i shkollës së Kllokotit është zgjedhur në bazë të konkursit nga Ministria e Arsimit e Kosovës. Sipas tij Gordana Spasiq, është emëruar në këtë pozitë pasi ka plotësuar të gjitha kushtet e konkursit.
Ai ka theksuar se si kryetar komune nuk mund të zgjidhë problemet në sistemin arsimor paralel, pasi kjo çështje i takon nivelit qendror dhe se janë udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe ata të Serbisë që duhet të gjejnë zgjidhje rreth kësaj çështjeje.
”Pjesa dërrmuese e personelit arsimor në shkollat në gjuhën serbe marrin nga 2 paga, një nga institucionet e Kosovës dhe një nga ato të Serbisë dhe ne si komunë nuk mund të bëjmë asgjë që të rregullohet kjo çështje, pasi problemi i takon nivelit qendror e jo atij lokal”, ka thënë Mirkoviq.
Ndërkaq, drejtori komunal i Arsimit, Momçillo Stojkoviq, ka thënë se gjithë punëtorët arsimorë të pranuar në bazë të konkursit marrin paga edhe nga Serbia.
“32 punëtorë arsimi si dhe 6 punëtorë fizikë në shkollat në gjuhën serbe, krahas pagës që marrin për vendet pune që i kanë të lidhura me institucionet komunale, marrin paga edhe nga sistemi arsimor i Serbisë”, ka thënë Stojkoviq. Ai ka theksuar se Komuna në vende pune si arsimtarë, apo në pozita udhëheqëse në shkollë, nuk mund të marrë njerëz nga rruga, por ata duhet të jenë të kualifikuar për punën që kryejnë të cilët janë të angazhuar edhe përmes sistemit arsimor që paguhet nga Serbia.
“Derisa në arsim është kjo gjendje në shëndetësi kemi një situatë më ndryshe sa u përket pagave të dyfishta, pasi aty nga 12 punëtorët e shëndetësisë, paga të dyfishta, marrin vetëm dy mjekë, kurse personeli teknik merr paga vetëm nga institucionet e Kosovës. Edhe Stojkoviq, thekson se problemin e pagave të dyfishta mund ta zgjidhin vetëm institucionet qendrore./Indeksonline/