Kalo te lënda

Kuvendi e do numrin e saktë të njohjeve të shtetit brenda vitit

 Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka kohë deri në fund të këtij viti që ta sqarojë para Kuvendit të Kosovës nëse Uganda, Nigeria dhe Mali e kanë njohur ndonjëherë shtetin tonë.

Përgjatë tri orëve, sa ka zgjatur interpelanca e tij të enjten në Kuvendin e Kosovës, e thirrur me kërkesë të Grupit parlamentar të LDK-së, asnjë nga deputetët nuk ka insistuar të marrë përgjigje direkte për numrin e saktë të njohjeve. Kjo dilemë është hapur para disa muajve, kur sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i është referuar numrit të njohjeve të Kosovës, për dy numra më pak se që prezantohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës së Kosovës.

Më pas edhe Ambasada amerikane në Prishtinë e ka sqaruar se për SHBA-në, as Uganda e as Nigeria nuk përbëjnë njohje të shtetit më të ri në Evropë. Dy këto (mos)njohje, ashtu sikur edhe ajo nga Mali, janë proklamuar nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, i cili është i ngarkuar me çështje të lobimit.

Për skandalin e fundit me Malin, kur fillimisht e prezantua njohja e më pas doli që ajo të mos ketë qenë valide, ministri Hoxhaj ka shprehur keqardhje publike si kundrejt qytetarëve të Kosovës ashtu edhe ndaj shtetit afrikan.

“Mali, thjesht, ka qenë një keqkuptim”, ka thënë Hoxhaj.

MPJ-ja në fakt nuk e ka futur asnjëherë Malin në listën e shteteve njohëse, megjithëse ministri Hoxhaj ka marrë kritika për këtë jo vetëm nga Pacolli, por edhe nga vetë shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi.

Me gjithë kritikat që i janë bërë Hoxhajt nga opozita lidhur me politikën e jashtme, të gjithë janë pajtuar se kjo çështje kërkon konsensus nacional. Me propozim të LDK-së, Kuvendi ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht të sqarojë kompetencat e anëtarëve të Qeverisë , duke përshkruar saktë obligimet dhe detyrat e punës së të gjithë përfaqësuesve të kabinetit qeveritar që merren me politikë të jashtme.

Me shumicë votash, Kuvendi ka kërkuar nga Qeveria që të merren hapa të menjëhershëm për anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, në Këshillin e Evropës dhe të raportojnë në Kuvend në baza të rregullta  tremujore lidhur me avancimin e anëtarësimit në këta mekanizma. Pos kësaj, Kuvendi ka nxjerrë edhe tri rekomandime për Qeverinë dhe MPJ-në në veçanti. Më gjerësisht për këto mund të lexoni në numrin e sotëm të gazetës Koha

Lini një koment