Kalo te lënda

Bruksel: Kosova e Serbia pajtohen për kufijtë

Grupet punuese të Kosovës e Serbisë u pajtuan, të enjten në Bruksel, që të zbatojnë marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

Kosova e Serbia u zotuan të respektojnë një marrëveshje të arritur më herët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit nën rrethanat e favorshme të dialogut të BE-së dhe u pajtuan të implementojnë një numër rregullash sa më shpejt që është e mundur.

 

Në një konferencë për shtyp, të mbajtur të enjten në Qeverinë e Kosovës, thuhet se grupet punuese kanë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë që të dy palët kanë mbi marrëveshjen”.

 

Të dy palët arritën një marrëveshje më 2 dhjetor të vitit të kaluar. Sidoqoftë, çështja është kundërshtuese për Serbinë, e cila ende nuk pranon pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Marrëveshja është krijuar si pjesë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të nisura në mars të 2011-ës, por që nga ajo kohë Serbia nuk ka implementuar marrëveshjen asnjëherë.

 

Përderisa Prishtina thotë se marrëveshja për kufirin e arritur në Bruksel do të thotë se Beogradi e ka njohur efektivisht Kosovën, një gjë e tillë kundërshtohet nga Beogradi.

 

Pas takimit të së enjtes në Bruksel, qeveria serbe nuk ka komentuar asgjë në lidhje me të. “Kosova është e angazhuar në zbatimin e implementimit dhe ka kërkuar nga BE-ja, si ndërmjetësuese e procesit, të rrisë angazhimin e saj në këtë drejtim”, thuhet ndërkaq në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

 

Ky takim ishte i pari i këtij lloji që kur të dy vendet nënshkruan marrëveshjen.

Parimi themelor i saj është që të gjitha autoritetet relevante dhe agjencitë e përfshira në sigurinë e kufirit dhe tregtinë në të dyja anët të bashkëpunojnë ndërmjet vete.

 

Me zbatimin e marrëveshjes, dogana e Kosovës dhe ajo e Serbisë, si dhe oficerët policorë do të operojnë nën një kulm. Ndërsa pritet që pjesëtarë të Policisë së EULEX-it të vëzhgojnë të dyja anët, dhe së bashku të menaxhojnë vajtje-ardhjet e udhëtarëve dhe mallrave.

Lini një koment