Kalo te lënda

Berisha merr çmimin “Qytetar nderi” i Deçanit

Kryeministri Berisha përmes një ceremonie të veçantë është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit, dhënë nga këshilli komunal. Kështu, pas qytetit të Gjakokës, kryeministri Berisha ka vizituar edhe Deçanin ku ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të heroit Isa Boletini në fshatin Isniq.

Gjatë vizitës në Deçan kryeministri ku ka nderuar kujtimin e luftëtarëve të UÇK-së në memorialin kushtuar UÇK-së, në Gllogjan, ka zhvilluar vizitë në familjen Haradinaj, si dhe ka vendosur buqeta me lule edhe pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku. Në fjalën e tij mbajtur në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Isa Boletinit në Isniq, Berisha e vlerësoi si një moment të rëndësishëm inaugurimin e shtatores në 100 vjetorin e Pavarësisë.

 

“Sot ne inagurojmë shtatoren e këtij burri të madh këtu në Isniq, vendin ku ai merrte fuqi dhe frymëzim në betejat e tij të mëdha për Shqipërinë dhe për Kosovën. Sot ne me këtë xhest i kthejmë burrit të madh të kombit një copëz të nderit të madh që na la prapa, të nderit që la për çdo shqiptar”, vuri në dukje Berisha.

 

Njëkohësisht, në vijim të vlerësimeve për këtë figurë, Kryeministri shtoi se Isa Boletini u shndërrua në një nga emrat e shquar të këtij kombi dhe luftrat e tij mbushën faqet e shtypit të mbarë botës. “Shqipëria, kombi, shqiptarët, ekzistencën e tyre ia detyron përpjekjeve të patriotëve mbarë shqiptarëve. Kur ndalesh dhe mendon se kush ishin aleatët çdo gjë shkon përtej legjendës, përtej imagjinatës, përtej njerëzores, por ishin pikërisht kryengritjet e mëdha patriotike ato që ndaluan zhdukjen e shqptarëve”, u shpreh Berisha, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni.

 

Presidentja e Kosovës, Atifiete Jahjaga, vlerësoi sot se “Isa Boletini ishte prijës i kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi dhe për ta bërë Shqipërinë shtet të përparuar dhe demokratik”.  Sipas presidentes Jahjaga komuna e Isniqit është vendi i atdhedashurisë dhe vetë shtatorja e Isa Boletinit është simbol i lirisë. “Isa Boletini luftoi për pavarësinë e kombit dhe sot Kosova ecën denjësisht drejt integrimit”, u shpreh ajo.

 

“Eshtë nderim për brezin tonë që po i respektojmë të parët tanë, që po e vlerësojmë sakrificën e bërë ndër shekuj për ruajtjen dhe zhvillimin e kombit tonë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale”, tha mëtutje Atifete Jahjaga.

 

Sipas saj, Isa Boletini, “së bashku me ideologun e pavarësisë, Hasan Prishtina, dhe me babanë e shtetit, Ismail Qemajli, dhe me shumë atdhetarë dhe intelektualë të brumosur dhe me idetë atdhetare dhe me idetë përparimtare të Evropës, e vunë në lëvizje historinë, i kthyen sytë e botës kah shqiptarët”. Këto komente ajo i bëri me rastin e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit, në Isniq të Deçanit, njoftoi presidenca e Kosovës. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Kryeministri Thaçi e vlerësoi figurën e Isa Boletinit si heroi që luftoi për lirinë e kombit./standardi/

 

Lini një koment