Krasniqi e Limaj votuan pro ndalimit të privatizimit, abstenoi AAK-ja
Nuk ka kaluar mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje, i mbështetur edhe nga LDK-ja, për pezullimin e procesit të privatizimit. Ky mocion fillimisht ishte mbështetur edhe nga AAK-ja, por më vonë ky subjekt politik doli me tjetër qëndrim. Pro mocionit votuan 45 deputetë, 53 kundër dhe 9 abstenuan. Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi e Justina Pula janë deputetët e PDK-së që votuan për mocionin e VV-së, Hydajet Hyseni ndërkaq abstenoi, derisa brenda grupit parlamentar të AAK-së votimi nuk ishte unik. Daut Haradinaj, Donika Kadaj-Bujupi e Ahmet Isufi votuan për mocionin e VV-së, kurse Blerim Shala, Ardian Gjini, Burim Ramadani, Kymete Bajraktari, Time Kadrijaj e Teuta Haxhiu abstenuan. Për votuan edhe deputetët Muhamet Mustafa dhe Emin Gerbeshi. Gjatë seancës pati polemika ndërmjet shefave të grupeve parlamentare për atë nëse në votim do duhej të hidhej edhe rezoluta e PDK-së për këtë çështje. Derisa shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri insistonte që në votim duhet të dilej vetëm me mocionin e tyre pasi që, sipas tij, PDK-ja nuk e ka respektuar rregulloren e Kuvendit, Adem Grabovci e Hajredin Kuçi insistonin që rezoluta e PDK-së është po aq ligjore dhe në përputhje me afatet dhe rregulloren e Kuvendit. Kuçi theksoi se ose duhet të votohen të dyja, ose asnjëra. Ndërkohë, kryeparlamentari Krasniqi vendosi që të votohet vetëm për mocionin e Vetëvendosjes, duke sqaruar se nëse nuk kalon ky mocion, nuk ka nevojë të votohet edhe për rezolutën e PDK-së.
Nuk miratohet pezullimi i privatizimit
Prishtinë, 11 tetor – 11:05 – Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar mocionin e opozitës, i cili kërkonte ndalimin e procesit të privatizimit. Me 45 vota për, 53 kundër dhe 9 abstenime, kuvendi ka votuar kundër mocionit të Vetëvendosjes. Në fillim të seancës deputetët opozitarë kanë kontestuar ligjërisht mundësinë që PDK të paraqitet me Rezolutë të saj, përmes të cilës kërkohet vazhdimi i procesit të privatizimit. Në fund është vendosur që të hedhet për votim vetëm mocioni i Vetëvendosjes.
Me Mocionin e opozitës, kërkohej që vendimi për privatizimin e PTK-së të sillet në Kuvendin e Kosovës për aprovim, së bashku me një strategji e cila i definon qartë interesat e shtetit në këtë aset publik. Veç kësaj, kërkohet të qartësohet edhe mënyra se si do të përdorën mjetet nga privatizimi i kësaj ndërmarrjeje publike.
Opozita insiston që Kuvendi ta rishqyrtojë edhe aranzhmanin për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, dhe njëkohësisht kërkon që Qeveria ta sjell një vendim të ri për privatizimin e këtij aseti për miratim në legjislativ.
Në seancën e sotme nuk u votua fare për Mocioni-Rezoluta e PDK-s, që ishte një kundërmocion i të parit dhe me të cilin kërkohej që Agjencia Kosovare e Privatizimit të vazhdojë krijimin e ndërmarrjeve të reja përmes privatizimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore si dhe Fondi i Mirëbesimit të ofrohet në shfrytëzim dhe në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
